Konferenca e Vetëvendosjes | Foto: LVV

LVV: Përgjegjësit e Vdekjeve në QKUK të Vihen Para Drejtësisë

Dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi e Fatmire Kollçaku pas raportimeve për disa vdekje të dyshimta në QKUK javën e kaluar kërkuan që përgjegjësit për to të vihen para drejtësisë.

Sami Kurteshi e cilësoi të dyshimtë deklaratën e shpejtë të ministrit të ri të shëndetësisë Uran Ismajli pas publikimit të lajmeve për vdekje të dyshimta.

“Në lidhje me deklaratat e shpejta publike menjëherë pas publikimit të rastit, duke filluar nga vetë ministri i shëndetësisë, lë të dyshohet në dy qëllime: është krejtësisht e mundur që të gjithë personat përgjegjës kanë qenë të informuar dhe e kanë ditur për ekzistimin e këtij rreziku që më parë”, tha Kurteshi.

Dyshohet se këto vdekje janë shkaktuar nga një gaz i përdorur në disa salla operacioni, ndërsa Kurteshi në konferencë shprehu frikën se “personat përgjegjës, duke filluar nga vetë ministri, duan të fshehin diçka që është edhe më e rrezikshme”.

Pardje, ministri Uran Ismajli deklaroi se janë formuar komisione për të hetuar rrethanat e vdekjeve të dyshimta.

http://kallxo.com/ministri-deklarohet-per-vdekjet-e-dyshimta-ne-qkuk/

Më tutje Sami Kurteshi tha se institucionet si QKUK, burgjet, shkollat, stacionet policore, qendrat e ndalimit,  janë institucione ku qytetari dorëzon jetën e tij në duar të institucionit shtetëror dhe se jeta duhet të jetë e garantuar.

“Këtu del qartë se neglizhenca e personave përgjegjës është në kufi të krimit”, shtoi ai.

Ndërsa deputetja  e LVV-së Fatmire Kollçaku tha se askush nuk mund t’i ik përgjegjësisë për këto vdekje.

“Për këtë rast përgjegjësia bie mbi të gjithë dhe askush s’mund t’i ik përgjegjësisë. Sepse dihet strikt se rregullativa ligjore duhet të respektohet dhe menaxherët, në radhë të parë, e kanë për detyrë ta mbikëqyrin sistemin dhe kjo pikërisht është hallka më e dobët në sektorin e shëndetësisë”, tha Kollçaku.

Dje prokuroria urdhëroi zhvarrosjen e tre të vdekurve në rrethana të dyshimta në QKUK.

http://kallxo.com/zhvarrosen-personat-qe-vdiqen-ne-qkuk/

Zhvarrosjet u kryen në Regjionin e Prishtinës, Skenderaj dhe Viti, ndërsa sot të zhvarrosurve iu bë autopsia dhe trupat e pajetë të tyre iu dorëzuan familjarëve.

http://kallxo.com/perfundon-autopsia-e-viktimave-te-vdekjeve-te-dyshimta/