Lutfi Haziri në Burgun e Gjilanit | Foto: Komuna e Gjilanit

Lutfi Haziri ‘Kthehet’ në Burg

Lutfi Haziri ka vizituar sot burgun e Gjilanit në ditën e çlirimit të qytetit.

Ai ka vizituar dhomën e burgut ku ka qëndruar për disa muaj në vitin 1998.

“Këtu kush ka hy, ka qenë dhuratë me mbijetu. Ka qenë burgu hetues më i tmerrshëm që e ka njohur ish-Jugosllavia. Kështu që, unë dhe kolegët e mi në Gjilan e kemi dhuratë nga Zoti jetën dhe daljen nga ky burg”, citohet të ketë thënë Haziri sipas komunikatës së lëshuar nga Komuna e Gjilanit.

Haziri më tutje ka deklaruar se në këtë burg në të kaluarën kanë vdekur edhe njerëz që tash janë heronj të Kosovës.

“Krejt kohën e burgut e kam kaluar në këtë qeli. Nuk ka pasë krevat edhe pse unë jam burgosur në tetor. Ka qenë dhomë e izolimit dhe dhomë e vetmisë. Në këtë burg kanë vdekur një numër i madh i të burgosurve shqiptarë në ish-Jugosllavi, disa prej të cilëve janë heronjtë të Kosovës”, ka vazhduar rrëfimin e tij i pari i Komunës së Gjilanit.

Ai ka kërkuar që ky burg të kthehet në objekt të paqes dhe të vizitohet nga qytetarët.

Objekti i burgut do të qëndrojë i hapur për vizitorët deri në muajin tetor, për t’iu përshtatur më pas nevojave të komunës.

Lutfi Haziri kthehet në qelinë ku qëndroi në vitin 1998 | Foto: Komuna e Gjilanit