Urologu Lutfi Dervishi - Foto: KALLXO.com

Lutfi Dervishi nuk Dërgohet në Gjykatë

Për shkak të një keqkuptimi mes gjykatës dhe Qendrës së Paraburgimit në Dyz është shtyrë gjykimi i Lutfi Dervishit dhe Sokol Hajdinit.

Lutfi Dervishi nuk u soll në gjykatë nga kjo qendër.

Kryetarja e trupit gjykues Franceska Fischer tregoi se qendra e paraburgimit nuk e kishte kërkesën që sot ta dërgojë Dervishin në gjykatë.

“Njëri nga të pandehurit Lutfi Dervishi nuk ka arritur nga qendra e paraburgimit, zyrtarja ime ligjore ka qenë në kontakt me Qendrën e Paraburgimit dhe si duket ka ndodhur një keqkuptim. Qendra e paraburgimit nuk e ka kërkesën që urdhërohet që të pandehurin ta sjellë sot në gjykatë”, tha gjyqtarja Fischer.

Pasi që prokurorja e çështjes Valeria Bolici në seancat e kaluara kishte kërkuar që të bëhej një ekspertizë shtesë, atëherë kryetarja e trupit gjykues kërkoi nga prokurorja që t’ia paraqesë gjykatës këtë parashtresë si dhe më pas kërkoi nga dëshmitari-ekspert Milazim Tahirukaj që ta hartojë një raport dhe në seancën e radhës kur do të thirret si dëshmitar ta prezantojë atë.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 29 nëntor, ndërsa në të pritet të dëshmojë Islam Bytyqi.

Në këtë proces gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën prokuroria pretendon se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

Pastaj Gjykata Supreme e riktheu përsëri në rigjykim Rastin “Medicus”, ndërsa Lutfi Dervishi që ndodhej në arrati, u arrestua disa ditë pas vendimit të supremes për rigjykim.