Petar Karajanov. Foto: Telma TV

Lustracioni, Strasburgu Vendos Kundër Maqedonisë

Në vendimin e saj të dytë kundër procesit të lustracionit të Maqedonisë, Gjykata e Strasburgut ka vendosur se institucionet maqedonase privuan një zyrtar të kohës së komunizmit, Petar Karajanov, nga një gjykim i drejtë dhe shkelën privatësinë e tij duke i publikuar emrin para se të merrej një vendim i formës së prerë.

“Pas katër vitesh, drejtësia triumfoi. Por në të njëjtën kohë, ndjej dhimbje që u desh të kërkoja drejtësi jashtë Maqedonisë dhe madje u detyrova të padisja vetë vendin tim”, tha Karajanov pas vendimit.

Ai tha se ndihej “plotësisht i kënaqur” me vendimin dhe se, edhe pse ka të drejtë ta bëjë këtë, ai s’do t’i kërkojë Gjykatës Administrative të Maqedonisë të rishikojë çështjen e tij.

Ish-anëtar i komitetit qendror të Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë, SKM, dhe ish-kreu i degës së SKM-së në Shkup, e kontestoi vendimin kundër tij në vitin 2013, menjëherë pasi Komisioni i Lustracionit e cilësoi atë si spiun dhe pasi Gjykata Administrative, ku ai paraqiti ankesën, verifikoi vendimin.

Karajanov tha se ai u ndje i shënjestruar që kishte mbajtur një qëndrim të hapur kundër procesit të lustracionit në Maqedoni. Ai ishte ndër ata që ngritën një padi në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë, duke bërë thirrje për heqje të ligjit të lustracionit të miratuar në vitin 2008.

“Ky vendim dëshmon pretendimin tonë disavjeçar se Komisioni i Lustracionit ka punuar thjesht si një instrument i partive në pushtet në betejën e tyre të hapur politike kundër kundërshtarëve dhe kritikëve të tyre politikë”, tha pas vendimit Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni, i cili i ofroi Karajanovit ndihmë ligjore.

Karajanov pohoi gjithashtu se çështja e tij bazohej në dokumentet e një personi tjetër i cili dyshohej se kishte bashkëpunuar me ish-shërbimet sekrete komuniste dhe që kishin të njëjtin emër.

Ai theksoi disa mospërputhje për të mbështetur pretendimin e tij.

Karajanov është lindur në vitin 1936, për shembull, ndërsa dokumentet e përdorura nga Komisioni i Lustracionit i referoheshin një personi të lindur në vitin 1937. Karajanov gjithashtu nuk ka ndonjë vëlla dhe nuk ka udhëtuar kurrë në Suedi, siç pretendojnë dokumentet e përdorura kundër tij.

Ndërsa Karajanov ka studiuar letërsi dhe ka jetuar në Shkup, dokumentet e përdorura kundër tij pretendojnë se ai kishte studiuar anglisht dhe se ka jetuar në qytetin e Gjevgjelisë.

Karajanov pohoi gjithashtu se të dhënat e tij të shërbimit ushtarak tregojnë se gjatë periudhës që komisioni tha se ai ishte një bashkëpunëtor, ai ka qenë ushtar në ish-Armatën Popullore Jugosllave, APJ.

Ky është vendimi i dytë që një viktimë e procesit të lustracionit në Maqedoni ka kontestuar dhe fituar në Strasburg.

Vitin e kaluar, ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, Trendafil Ivanovski, fitoi çështjen e tij kundër shtetit para Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Gjykata e Strasburgut vendosi se Maqedonia kishte shkelur të drejtat e Ivanovskit duke mos i dhënë atij të drejtën të mbronte veten para komisionit dhe duke i mohuar atij qasjen në provat që po përdoreshin kundër tij.

Të paktën dhjetë persona të tjerë po padisin Maqedoninë në Strasburg për arsye të ngjashme.

Maqedonia ndoqi hapat e shumë shteteve ish-komuniste që miratuan ligje lustracioni si mënyra për të trajtuar padrejtësitë e kaluara duke bërë publik emrat dhe duke turpëruar ish-bashkëpunëtorë të policisë sekrete komuniste.

Megjithatë, që kur Komisioni i Lustracionit filloi punën në vitin 2009, partitë opozitare, OJQ të të drejtave të njeriut dhe kritikë të Qeverisë janë ankuar se po abuzohej me procesin për të sulmuar kritikë të partisë në pushtet VMRO DPMNE.

Në gusht 2015, pas kritikave nga Brukseli, Komisioni tha se po i jepte fund procesit të lustracionit, duke nisur nga fillimi i vitit 2016.

Megjithatë, ai vendosi se linte në fuqi sanksionet që kishte vendosur për më shumë se 200 persona të lustruar, përfshirë ndalimin për këdo që ishte deklaruar si një ish-bashkëpunëtor i policisë sekrete për të punuar në institucionet shtetërore.

Që nga viti 2016, Gjykata Administrative ka filluar të anulojë me dhjetëra vendime lustracioni të marra nga komisioni dhe mbetet të vendosë ende edhe për shumë të tjera.