Eurodeputetja Ulrike Lunacek - Foto: Facebook

Lunacek: BE t’i Bëjë Presion Serbisë për Fletarrestimet

Ajo kërkoi nga Bashkimi Europian që të bëjë presion ndaj Serbisë që të tërheqë urdhër-arrestet siç i quan ajo ‘të vjetruara’.

“Mbajtja e një urdhër-arresti ndërkombëtar të vjetër nga viti 2004 nga Serbia është tërësisht e papranueshme. Lideri aktual i AAK-së Haradinaj është gjykuar dy herë dhe më 2008 dhe 2012 Gjykata e Hagës e ka liruar nga akuzat për krime lufte”, ka shkruar Lunacek në faqen e saj të internetit.

Prandaj, ajo i ka kërkuar Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, dhe qeverive të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe sidomos të 23 vendeve që e kanë njohur Kosovën, që në mënyrë të qartë t’i kërkojnë Serbisë që t’i heqë fletarrestimet e vjetruara sikur ai për Haradinajn.

“Ky është një kusht i rëndësishëm për të vazhduar procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës sipas parimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka thënë Lunacek.

Një kërkesë të ngjashme Lunacek e kishte bërë edhe në janar të këtij viti.

http://kallxo.com/lunacek-kerkon-terheqjen-e-fletarresteve-nga-serbia/

Haradinaj u arrestua nga autoritetet franceze më 4 janar, bazuar në një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia më 2004.

Ish-komandanti i UÇK-së akuzohej për krime lufte.

Më parë, Haradinaj u shpall i pafajshëm dy herë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare e Hagës (ICTY).

Sot Haradinaj u lirua nga akuzat për të cilat u mbajt në Francë për afro katër muaj.

http://kallxo.com/lirohet-ramush-haradinaj-2/