Lunacek: Të Drejtat e Romëve të Mos Mbesin Vetëm në Letër

Zëvendës Presidentja e Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek ka bërë thirrje për përfshirjen e komunitetit rom nga shtetet e Ballkanit Perëndimor që sipas saj nuk po e zbatojnë në tërësi legjislacionin që kanë për këtë çështje.

Në hapjen e Samitit të dytë Rajonal të Ballkanit Perëndimor për Përfshirjen e Komunitetit Rom u diskutuan strategjitë vepruese për ndalimin e diskriminimit të këtij komuniteti në shoqëri.

Në Samitin e organizuar nga Mbrojtësit e të Drejtave Civile(CRD), përmes një video mesazhi, Lunacek tha se po bëhet pak në fushën e fuqizimit të komuniteteve pakicë në Kosovë dhe rajon.

“Ne duhet të shtyjmë përpara implementimin e plotë të legjislacionit relevant sepse, letra është e durueshme siç themi në vendin tim. Por pa implementim, legjislacioni nuk punon dhe ne duhet të mbajmë në mend se ka praktika të mira nga rajoni dhe shtetet antare në BE. Ne mund të mësojmë nga njëri tjetri”, tha Lunacek.

Ndërkaq, Hilmi Jashari, Avokat i Popullit ka kritikuar Qeverinë për llogaridhënie të vogël në zbatimin e zotimeve të saj për mbrojtjen e këtij komuniteti.

“Ajo që duhet të mbështetet fuqishëm është që sa më tepër të mbahet përgjegjëse qeveria dhe me të gjeturat e Komitetit Kornizë të sfidohen autoritetet publike lidhur me zbatimin e tyre”, tha Jashari.

Në anën tjetër, Drejtori i programit të Mbrojtësve të të Drejtave Civile, Goran Miletic vlerësoi se ka ende tema tabu rreth komunitetit rom duke përfshirë edhe dhunën që ushtrohet ndaj tyre.

“Ne gjithmonë hezitojmë ta themi se komuniteti rom është viktimë e dhunës. Ata janë viktimë e dhunës pa marrë parasysh faktin se shumë prej nesh themi se nuk dimë shumë raste të dhunës ndaj romëve “, tha deklaroi Miletic.

Samiti për integrimin e Komunitetit Rom në Ballkanin Perëndimor do të vazhdojë edhe nesër kur do të jetë mbyllja e tij.