Ulrike Lunacek, Nënkryetare e Parlamentit Europian

Lunacek: Qeveria e Kosovës t’i Trajtojë Problemet Urgjente Menjëherë

Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, eurodeputetja Ulrike Lunacek i ka bërë thirrje qeverisë së re të Kosovës që të fillojë me trajtimin e problemeve urgjente që nga dita e parë.

Me këtë rast, eurodeputetja ka përmendur gjetjen e një rrugëdaljeje nga kriza ekonomike, iniciativën për tërheqjen e investimeve, krijimin e vendeve të reja të punës – sidomos në fushën e burimeve të ripërtërishme, si dhe përmirësimin e shërbimeve në shëndetësi dhe arsim.

“Sigurisht që institucionet dhe sundimi i ligjit duhet të forcohen, sikur edhe të intensifikohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka theksuar nënkryetarja e Parlamentit Europian.

Lunacek përkujton se aspekti i fundit është edhe një prej dy kushteve të BE-së për liberalizimin e vizave.

Ajo ka kërkuar ratifikim të shpejtë të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës.

Rruga e Kosovës drejt BE-së duhet të intensifikohet, shton ajo, për shembull duke zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si dhe Agjendën për Reforma Europiane.

Sa i përket marrëdhënieve me Serbinë fqinje, Ulrike Lunacek faktin se Lista Srpska ka votuar për ish-udhëheqësin e UÇK-së Ramush Haradinaj si Kryeministër e sheh si një sinjal pozitiv për vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e re e Kosovës është miratuar të shtunën në Kuvendin e Kosovës, ndërsa sot bëhet pranim-dorëzimi i detyrës nga kryeministri në detyrë, Isa Mustafa te kryeministri i ri, Ramush Haradinaj.