Ulrike Lunacek

Lunacek: Fundi i Izolimit të Kosovës

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, ka thënë se drita e gjelbër për liberalizimin e viza i ka bërë të lumtur kosovarët dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur lëvizjen e lirë për shtetin më të ri Evropian për vite me radhë.

“Ka ardhur koha që kosovarët të jenë në gjendje që të shijojnë lirinë për të vizituar shokët dhe familjaret e tyre në EU për tre muaj sikur të gjithë qytetarët e tjerë të regjionit. Ndjenja e të qenurit  të izoluar duhet të ndalojë sa më shpejtë që eshët e mundur”, tha ajo

Sipas saj edhe dy rekomandimet e mbetura do të mbushen nga Kosova dhe përgjegjësia për të dhënë dritën e gjelbër do t’i takojë Parlamentit Evropian.

“I takon ministrave të brendshme të shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian si dhe Parlamentit Evropian që t’u qëndrojnë marrëveshjeve dhe premtimeve”, ka shkruar ajo.

Ndërsa ajo u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, partive politike dhe qytetarëve që të vazhdojnë të dëshmojnë dhe të dërgojnë një imazh pozitiv nga Kosova në mënyrë që të bindin 28 ministrat e brendshëm të  Bashkimit Evropian të cilët do të vendosin për datën e liberalizimit të vizave.

Lunacek gjithashtu ka theksuar edhe rendësinë e lajmit të djeshëm ku Kosova u bë federata e 55-të anëtare e UEFA-së si një hap të rëndësishme drejt përfundimit të izolimit të Kosovës.