Ulrike Lunacek

Lunacek Insiston në Njohjen e Kosovës nga 5 Vendet e BE-së

Lunacek e cila ëhstë në të njëjtën kohë Zëvendës Presidente e Parlamentit Europian dhe raportuese për Kosovën në këtë parlament deklaroi se integrimi në BE është e ardhmja e Kosovës së pavarur.

Raporti i saj i përvitshëm që paraqet progresin e Kosovës drejt integrimit në BE ka marrë 40 vota pozitive nga komisioni me 12 vota kundër dhe tre abstenime ndërkaq pritet të votohet nga Parlamenti Europian në prill.

Ky raport rithekson se kanë mbetur edhe pak hapa për liberalizimin e vizave për Kosovën, që është ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi dhe progres në luftën kundër krimit të organizuar.

Ndër të tjera ajo ka bërë thirrje për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në të.

“Raporti im kërkon vazhdimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës si dhe zbatim të shpejtë të përkushtimeve të arritura dhe pajtuara sipas parimeve të fqinjësisë së mirë. Në këtë kuptim, zbatimi i kohës së fundit i marrëveshjes së arritur në dialog për kodin telefonik të Kosovës është një hap përpara. Megjithatë, zbatimi ende po çalon në kadastër dhe energji nga ana e Serbisë, dhe për asociacionin e komunave serbe nga ana e Kosovës”, tha Lunacek.

Lunacek gjithashtu foli për njohjen më të re të Kosovës nga shteti i Bangladeshit duke bërë thirrje edhe te shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë së shpejti.

“Kjo do të duhej inkurajuar të tjerët, e në veçanti pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e njohin, ta ndërmarrin këtë hap. Raporti thekson se njohja do të sillte përfitime në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe po ashtu do të inkurajonte një qasje pozitive për sa i përket pjesëmarrjes së Kosovës në organizata ndërkombëtare”, shtoi ajo.