Tryeza e organizuar nga Ambasada amerikane për luftën kundër korrupsionit - Foto: Prokuroria e Shtetit

Lumezi: Të Konfiskohet Pasuria e Krimit

“Është i nevojshëm edhe fuqizimi i kapaciteteve profesionale dhe zhvillimi i programeve trajnuese për prokurorë në drejtim të zhvillimit të aftësive hetimore komplekse në fushën e krimeve financiare, prokurimit publik dhe shpëlarjes së parave”, u shpreh Lumezi në një tryezë të organizuar nga Ambasada amerikane në Kosovë.

Lumezi nga prokurorët ka kërkuar që të bëjnë hetime financiare për të identifikuar të ardhurat nga krimi, ryshfeti dhe shkeljet tjera që lidhen me korrupsionin.

“Nuk ka dyshim se për të luftuar korrupsionin nevojitet edhe bashkëpunimi juridik ndërkombëtar sepse shpeshherë paratë e fituara nga korrupsioni transferohen apo investohen në botën e jashtme në emër të personave të tjerë dhe tentohet që të bëhet kthimi i tyre prapa në Kosovës si para të ligjshme”, theksoi Lumezi.

Kryeprokurori Lumezi tha po ashtu se dënimi me burg nuk lëvizë seriozisht luftën kundër korrupsionit por duhet të nxirren edhe vendime për ndalimin e ushtrimit të detyrës zyrtare pas vuajtjes së dënimit dhe duhet t’u konfiskohet pasuria e fituar me vepër penale.

Këtë kërkesë Lumezi e ka bërë në tryezën e punës kundër korrupsionit të organizuar nga Ambasada amerikane në Kosovë.

Lumezi pos kësaj kërkese tha se lufta kundër korrupsionit është prioritet kryesor i Prokurorisë së Shtetit.

“Përmes punës profesionale, transparencës dhe rezultateve të mira në hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit, ne duhet të krijojmë siguri te qytetarët se ata nuk kanë nevojë të japin ryshfet me qëllim që t’i realizojnë të drejtat e tyre”, tha Lumezi.

Më tej Lumezi tha se prokurorët duhet të jenë të pavarur nga emrat e përveçëm të zyrtarëve publikë, interesat e të cilëve preken gjatë hetimeve.

Ndërsa nikoqiri i kësaj tryeze, ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie, tha se prokurorët janë komponent shumë i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe vendimtar në ndalimin e zyrtarëve publikë nga keqpërdorimi i detyrës dhe autoritetit për përfitime personale.

“E kuptoj sa e vështirë është. Kur ju ndiqni penalisht zyrtarë qeveritarë, ju do të jeni subjekt i një shkalle të lartë të kritikës, i vëmendjes së medias dhe presionit politik. Ju duhet t’i rezistoni presionit dhe t’i përgjigjeni me përkushtim dhe profesionalizëm”, tha ambasadori Delawie.