Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi në konferencë | Foto: Petrit Rrahmani

Lumezi, Prokurorëve: Mos Ndërhyni në Rastet që Nuk ju Takojnë!

Numri një i organit të ndjekjes në Kosovës, Aleksandër Lumezi, në një prononcim për KALLXO.com, ka thënë se prokurorët janë të pavarur në hetimet e tyre dhe askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punën e prokurorëve.

Lumezi i bëri këto komente kur u pyet rreth deklarimeve të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka rreth hetimit të përgjimeve që po bëhen nga prokurorja speciale Drita Hajdari.

”Prokurorët janë tërësisht te pavarur në kryerjen e funksioneve të veta dhe kanë përgjegjësi për hetimin e personave te dyshuar për kryerjen e veprave penale. Askush nuk ka të drejtë, e sidomos jo kryeprokurori i nivelit më të ulët të ndikojë në punën e prokurorit te Prokurorisë Speciale derisa ai kryen funksionin e tij të ligjshëm të ndjekjes”, tha Lumezi për KALLXO.com.

Imer Beka i ftuar në një emision televiziv kishte thënë se masat e fshehta me dispozita ligjore nuk do të duhej të dilnin. Beka më tej tha se është i habitur se çfarë baze ka gjetur gjykata që e ka hedhur poshtë kërkesën për masë të përkohshme.

Beka tha se nuk po i referohej rastit të Adem Grabovcit në veçanti por të gjitha rasteve të masave të fshehta.

Për deklaratat e Lumezit edhe kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, ka reaguar duke dërguar një letër ku kërkon sqarime Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Kryeprokurori i vendit më duke folur rreth këtij rasti thotë se duhet të kihet shumë kujdes me deklaratat e dhëna gjatë fazës së hetimit.

“Çdo deklaratë, nga kushdo qoftë gjatë fazës se hetimeve, në mënyrë te arsyeshme mund të shihej si ndërhyrje apo përpjekje për të cenuar pavarësinë e funksionit të prokurorit. Askush, përpos Kryeprokurorit te Shtetit nuk mund t’u japë udhëzime prokurorëve tjerë çdo ndërhyrje tjetër cenon pavarësinë funksionale dhe profesionale të prokurorëve”, tha Lumezi.

Lumezi më tej shton se pavarësia e prokurorëve duhet të jetë thelbi i një sistemi të lirë, ndërsa ndërhyrja në këtë, paraqet kërcënim për demokracinë.

Kryeprokurori në fund i porosit të gjithë personat e paautorizuar që të mos ndërhyjnë në procese hetimore ku nuk kanë rol.

“Porosia ime është që personat e paautorizuar të mos ndërhyjnë në proceset hetimore pasi që këtë rol mund ta kryejë vetëm prokurori i autorizuar”, tha Lumezi.