Aleksandër Lumezi në konferencën e prokurorëve | Foto: KALLXO.com

Lumezi: në 2016-ën Rezultatet më të Mira Kundër Korrupsionit

Në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, kryeprokurori Aleksandër Lumezi vitin 2016 e cilësoi me rezultatet më të mira në luftë kundër korrupsionit.

“Viti 2016 ishte viti me rezultatet më të mira në luftimin e korrupsionit. Janë zgjedhur 161 raste të ndryshme nga Prokuroria Speciale. Nga 33 raste të shënjestruara janë ngritur 25 aktakuza të nivelit të lartë,” tha Lumezi.

Ai deklaroi se është bërë punë e emirë kundër ksaj dukurie, edhe pse tha se kanë dalë fjalë se ka ndodhur e kundërta.

“Vitim që lam pas është folut për mungesën e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, krimeve të luftës dhe korrupsionit por është bërë një punë e mirë edhe në këto raste,” tha Lumezi.

KALLXO.com në fillim të këtij viti, duke analizuar proceset gjyqësore dhe aktakuzat e ngritura kundër korrupsionit, konstatoi se në 2016-ën korrupsioni nuk u luftua sa duhet.

Dënimet 2016: ’Ledhatimi’ i Korrupsionit!

Rezultatet në luftën kundër korrupsionit janë njëri nga kushtet e përcaktuara të BE-së për lëvizje pa viza të kosovarëve në Zonën Shengen.

Lumezi u deklarua i vetëdijshëm për këtë gjë, pasi tha se “roli i prokurorisë në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave është vendimtar”.

Lumezi në fjalën e tij në konferencën Vjetore të Prokurorëve, u kërkoi atyre koncentrim në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit.

Në luftën kundër terrorizmit Lumezi tha se janë ngritur 51 aktakuza ndaj 57 personave, KALLXO.com ndoqi vazhdimisht proceset kundër terrorizmit, ndërsa shkrimet për to mund t’i lexoni këtu.

Lumezi tregoi edhe për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë gjatë viti të kaluar.

“Gjatë vitit 2016 në bashkëpunim me prokurorët e EULEX-it kemi sekuestruar rreth 60 milionë euro dhe kemi konfiskuar rreth 1.4 milionë euro,” tha Lumezi.