Lumezi Kërkon Rishikim të Lëndëve të Vrasjeve të Personave Publikë

Këtë kërkesë, kreu i Prokurorisë së Shtetit e ka bërë në një takim me kryeprokurorët e prokurorive themelore të Kosovës, të sapozgjedhur në këtë detyrë.

“Gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi sërish kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët e prokurorive Themelore dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që të rishikojnë lëndët e vrasjeve të personave publik dhe të ndërmarrin veprime të nevojshme për zbardhjen e këtyre rasteve, edhe pse shumica nga këto raste janë trajtuar në kohën e kryerjes së veprave penale dhe nuk është arritur të zbulohet identiteti i kryesve të këtyre veprave penale”, thuhet në komunikatë.

Hetimi i këtyre dhe vrasjeve tjera në Kosovën e pasluftës i është kërkuar vitin e kaluar Prokurorisë së Shtetit nga Presidenti Hashim Thaçi në katër letra që ai ia kishte dërguar prokurorisë.

Komunikata thotë se Lumezi kërkoi nga udhëheqësit e prokurorive që të kenë bashkëpunim të mirëfilltë mes vete, me qëllim të unifikimit të praktikave nëpër prokurori dhe ngritjes së efikasitetit të punës së Prokurorit të Shtetit.

Po ashtu, kryeprokurori Lumezi kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët që t’i trajtojnë me prioritet lëndët e korrupsionit, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet tjera të zbatimit të ligjit, thuhet në komunikatë.

Kryeprokurori Lumezi kërkoi që të gjithë prokurorët t’i identifikojnë lëndët afër parashkrimit dhe të veprohet me urgjencë në ato raste për shkak të eliminimit të mundësisë së parashkrimit.