Lumezi Flet për Uzurpatorët në Veri dhe Selinë e PDK-së

Kryeprokurori i Shtetit, Alekdsandër Lumezi, ka thënë sot se prokuroria do të ndërhyjë edhe në pjesën veriore të Kosovës për t’i liruar pronat e uzurpuara.

Prokuroria dhe Policia kanë nisur sot një aksion të gjerë në Prishtinë dhe Ferizaj ndaj uzurpatorëve të pronave shoqërore.

“Do të kyçemi edhe në pjesën veriore por jemi në proces të identifikimit të pronave. Kemi pasur kontakte me policinë dhe prokurorinë atje”, tha Lumezi para gazetarëve.

Edhe Shaip Havolli nga Policia e Kosovës shprehu gatishmërinë për t’i trajtuar pronat e uzurpuara në veri.

“Të gjitha pronat e uzurpuara janë duke u trajtuar në nivel vendi, përfshirë edhe Mitrovicën Veriore. Edhe nga pjesa veriore, shumë qytetarë kanë filluar të lidhimn kontrata vullnetare me AKP-në”, tha Havolli.

Gjatë ditës janë ndërmarrë 13 veprime për t’i liruar pronat shoqërore në këto dy qytete.

Lumezi u pyet nga gazetarët edhe nëse Prokuroria do të intervenojë në lirimin e ndërtesës ku e ka selinë PDK në Prishtinë.

Ai tha se nuk do të hezitojë të veprojë nëse vendimi i gjykatës tregon se kjo parti është e vendosur jashtëligjshëm në këtë ndërtesë.

“Procedurën penale e fillojmë në bazë të kallëzimeve penale që na vijnë nga Policia e Kosovës. Nëse sigurojmë informacione se PDK është në pronë të uzurpuar ne do të fillojmë dhe do t’i largojmë, por aty ka një procedurë civile gjyqësore dhe po presim përfundimin e procesit”, tha ai.

Sipas Lumezit, aksioni i sotëm është “vetëm fillimi punës së prokurorisë dhe policisë” në largimin e uzurpatorëve.

“Ka edhe prona tjera të uzurpuara dhe jemi duke trajtuar të gjitha rastet që kanë përfunduar procedurat civile”, tha ai.