Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit. Foto: Kallxo.com

Lumezi Flet për ‘Ndejën’ me Hajredin Kuçin në Bogë

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka komentuar raportimet e mediave ku ai është parë në shoqërinë e nënkryetarit të PDK-së dhe ish ministrit të Drejtëssë, Hajredin Kuçi, dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Lumezi në një intervistë ekskluzive për emisionin “Jeta në Kosovë”, ka përshkruar takimin që kishte realizuar  në shtator të këtij viti me prokurorë si dhe me Nënkryetarin e PDK-së, Hajredin Kuçi.

“Unë nuk e di çka është e keqe pse ne kemi shku [në Bogë]… Ju bëni shumë sende të mëdha dhe në fund del asgjë, “dridhet mali edhe nuk pjell kurgjë hiq”. Nuk është në rregull që të takohemi me përfaqësues të partive politike por ne jemi takuar me një koleg tonë i cili ka qenë katër vite anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe kemi punuar së bashku, ne kemi raporte kolegiale…”, tha  Lumezi.

Ai gjithashtu theksoi se ka raporte miqësore me shumë përfaqësues të partive dhe, sipas tij, jo vetëm të PDK-së.

“Me Ilmi Reqicën jam takuar gjatë rrugës dhe jam përshëndetur me të, nuk e kam koleg. E njoh si deputet i Kuvendit të Kosovës, na ka ra që të takohemi nëpër ahenxhe të ndryshme të cilat i kanë organizuar ambasadorat…Ne takohemi edhe me deputetë .. edhe me Xhavit Halitin jam taku, nuk mundemi të bëhemi injorantë dhe të mos takohemi me njerëz në rrugë”, tha Lumezi.

Kryeprokurori i Shtetit në këtë intervistë flet edhe për hetimet e zyrtarëve të lartë dhe dyshimet e ngritura mbi autenticitetin e provimit të tij të jurisprudencës.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: