Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi në konferencë | Foto: Petrit Rrahmani

Lumezi e Quan Shpifje Akuzën e Enver Hasanit për Falsifikim

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i cili sot u dënua me 1 vit burg me kusht për mashtrim, u ka dërguar një email kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezit dhe disa mediave, në të cilin pretendon se kryeprokurori e ka të falsifikuar provimin e jurisprudencës.

Në një dokument 7-faqësh, me gjithsej 84 pika, Hasani pretendon se pas një hulumtimi të bërë në arkivat e vendit, ka hedhur dritë se si Lumezi ka falsifikuar provimin e jurisprudencës.

Provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe parakusht për juristët që duan të bëhen gjyqtarë, prokurorë e avokatë.

“Pas zërave që kisha dëgjuar kohë më parë se Aleksandër Lumezi kishte falsifikuar provimin e jurisprudencës, vendosa të nis një hulumtim vetjak për të konstatuar të vërtetën. Nuk mund të besoja se një gjë të tillë mund ta bënte dikush që ka pak mend në kokë, ani se pas mbarimit të luftës në Kosovë, më 10 qershor 1999, dhe pas kaosit që ishte krijuar më pas, ishin shënuar disa raste të tilla, pra raste të falsifikimit të provimeve të jurisprudencës. Ata që kishin bërë një gjë të tillë kishin shpresuar se askush nuk do të shikonte dosjet origjinale nëse gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët kosovarë kishin letra ligjërisht të vlefshme për të ushtruar profesionet e tyre”, thuhet në fillim të dokumentit të Enver Hasanit.

Në pikën e fundit, Enver Hasani konstaton se Lumezi asnjëherë nuk e ka dhënë provimin e jurisprudencës.

“Të gjitha këto si më sipër flasin se KPSh i PShRKS-së nuk e ka të dhënë provimin e jurisprudencës në mënyrë të ligjshme, përkatësisht nuk ka pasur asnjëherë një diplomë të vlefshme për ta ushtruar profesionin e vet, sepse nga krejt të dhënat e dosjes (dhe procesverbalit) së tij për provimin e jurisprudencës, të cilat gjenden të ruajtura në Arkivin e Kosovës, shihet qartë se fjala është për të dhëna të cilat janë të falsifikuara”, thuhet në fund të dokumentit të lëshuar nga Enver Hasani.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Enver Hasani tha se letra e dërguar mban autorësinë e tij dhe shtoi se nuk ka dashur të flasë deri më sot lidhur me çështjen me arsyetimin që të mos interpretohet si ndikim në vendim.

Në anën tjetër, Aleksandër Lumezi për KALLXO.com tha se nuk dëshiron të komentojë terminologjinë shpifëse të Enver Hasanit.

“Jemi mësuar me terminologjinë shpifëse të z. Hasani. Autorët e këtyre shpifjeve nuk meritojnë përgjigje”, tha Lumezi.