Zdenko Andabak. Foto: BIRN.

Luftëtari Kroat i Bosnjës Lirohet nga Akuzat për Vrasje

Gjykata shtetërore në Sarajevë e shpalli Zdenko Andabakun të pafajshëm për krime lufte gjatë sulmit të Këshillit Kroat të Mbrojtjes në Grborezi më 21 korrik 1993.

Andabak u akuzua se kishte drejtuar operacionin në Grborezi, ku anëtarët e Batalionit të Dytë të Sulmit të Lehtë të Policisë Ushtarake të Këshillit Kroat të Mbrojtjes vranë një person dhe plagosën një tjetër.

Sipas akuzave, anëtarë të batalionit më pas plagosën një person tjetër, të cilin Andabak e vrau.

Andabak u lirua gjithashtu nga akuzat për keqtrajtimin fizik të një personi.

Aktakuza tha se ai ishte krye-asistenti i Administratës së Policisë Ushtarake për Zonën Operacionale të Bosnjës dhe Hercegovinës Veriperëndimore të Këshillit Kroat të Mbrojtjes dhe komandant i Batalionit të Dytë të Sulmit të Lehtë të Policisë Ushtarake të Këshillit Kroat të Mbrojtjes.

Gjykata mësoi se Prokuroria nuk e kishte vërtetuar pa asnjë dyshim fajësinë e tij, duke vendosur se dëshmitë e dy dëshmitarëve të mbrojtur ishin spekulative, konfuze dhe kontradiktore.

“Këto prova të Prokurorisë nuk kanë qenë të mjaftueshme për të vërtetuar se i pandehuri është fajtor për veprat e përshkruara”, tha kryetarja e trupit gjykues Zheljka Mareniç.

Sipas vendimit, Andabak nuk duhet të paguajë ndonjë shpenzim, ndërsa palët e dëmtuara këshillohen t’i zgjidhin pretendimet e tyre nëpërmjet padive civile.

Vendimi mund të apelohet.