Dejan Beriç mban në dorë pasaportën e DNR. Foto: Facebook

Luftëtarët nga Ballkani Refuzojnë të Largohen nga Fushëbeteja në Ukrainë

“Nuk jemi shumë këtu [luftëtarë nga Ballkani], por jemi të gjithë të vërtetë. Njerëzit tanë… kurrë nuk i kanë braktisur pozicionet dhe nuk kanë refuzuar asnjëherë të ekzekutojnë urdhrat”, tha për BIRN Dejan Beriç, një luftëtar që ka dalë vullnetarë, përmes një interviste në email.

Beriç është një sipërmarrës 43-vjeçar i lindur në Beograd, i cili që nga viti 2014 po lufton për territorin rebel pro-rus të vetëshpallur të Donetskut në rajonin lindor Donbas të Ukrainës.

Qeveria e Ukrainës i konsideron njerëzit si ai kriminelë dhe gjykatat serbe mund t’i ndjekin penalisht nëse kthehen ndonjëherë në shtëpi, por në Donetsk, luftëtarët vullnetarë të Ballkanit janë të mirëpritur, pohon Beriç.

“Në Donbas, vetëm gjëra të mira dëgjon për serbët,” tha ai, duke këmbëngulur se ai dhe vullnetarët e tjerë po vazhdojnë të mbajnë pozicionet e tyre, ndërsa luftimet e armatosura midis separatistëve dhe forcave qeveritare të Ukrainës vazhdojnë pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të nënshkruar dy vjet më parë.

Sipas Beriç, shumica e luftëtarëve të Republikës Popullore të Donetskut që kanë ardhur nga Ballkani janë nga Serbia, por ka edhe katër kroatë, dy burra nga entiteti serb Republika Srpska në Bosnje dhe tre boshnjakë myslimanë.

Marrëdhëniet ndërmjet luftëtarëve janë të mira, pavarësisht se vijnë nga vende të cilat shpesh kanë përplasje mes tyre.

Beriç jetonte në fshatin e vogël të Putincit në Serbinë veriore ku drejtonte një biznes të prodhimit të dyerve dhe dritareve.

Por në vitin 2014, pasi rebelët pro-rusë deklaruan se po krijonin Republikën Popullore të Donetskut, pas aneksimit të Krimesë nga Moska, ai e mbylli biznesin dhe u nis për në Ukrainë.

Shumë vullnetarë ballkanas thonë se janë bashkuar me rebelët për shkak të simpatisë për Rusinë dhe nga ndjesia e vëllazërisë ortodokse – por Beriç thotë se shkoi pasi u ftua personalisht nga dy vullnetarë rusë që më parë kishin luftuar në luftërat e Ballkanit të vitit 1990.

“Ata më thirrën që t’i shlyeja borxhi, në kuptimin moral dhe njerëzor,” shpjegoi Beriç; dy ditë më pas ai u nis në Sevastopol në Krime.

Sipas qeverisë së Republika Srpska, rreth 700 rusë luftuan bashkë me serbët në Bosnje gjatë luftës së viteve 1992-95; Ka pasur gjithashtu raporte se rusët luftuan krah serbëve në konfliktet në Kroaci dhe në Kosovë, por numri nuk dihet.

I pyetur se kë po lufton veçanërisht, Beriç i bëri jehonë idesë ruse, kundër forcave ukrainase, duke i përshkruar ata si “nazistë”.

“Kryesisht, luftuam kundër nazistëve të ndryshëm, të cilët duan të shkatërrojë paqen ortodokse, të cilët gjetën rastin të luftojnë kundër Rusisë – të paktën kështu e shohin ata, sepse vrasja e popullatës ruse [në Ukrainë] është luftë kundër Rusisë për ta”, tha ai.

Kremlini e ka përshkruar qeverinë e Ukrainës si një “juntë fashiste”, duke cituar mbështetjen e nacionalistëve ekstremistë për kryengritjen e vitit 2014 “Euromaidan”, e cila rrëzoi presidentin e korruptuar pro-rus Viktor Janukoviç pasi ky refuzoi të krijojë lidhje më të ngushta me BE-në; si dhe ekzistencën e disa milicive nacionaliste ukrainase që luftuan kundër trupave separatiste të mbështetura nga Rusia.

Ndërkohë, Kievi akuzon Moskën për aneksimin ilegal të Krimesë, duke armatosur dhe mbështetur ushtarakisht rebelët në Ukrainën lindore dhe duke vazhduar nxitjen e dhunës: “Ne nuk kemi paqe për një arsye: rusët nuk kanë interes në arritjen e paqes. Ata duan të ushtrojnë kontroll,” tha presidenti aktual Petro Poroshenko më 18 prill.

Ligjet e reja për të hetuar luftëtarët e huaj

Beriçi ka qëndruar në Ukrainë pavarësisht faktit se shumë vullnetarë të tjerë janë kthyer në atdhe në muajt e fundit, për shkak të ligjeve të rrepta që ekzistojnë tashmë në forma të ndryshme në të gjithë Ballkanin dhe ndjekin penalisht ata që kanë shkuar në fushëbetejat e huaja.

Serbia, për shembull, e miratoi një ligj të tillë në vitin 2015. Duke shpjeguar këtë veprim, qeveria tha se kishte vënë re se “pas pjesëmarrjes në një konflikt lufte ose të armatosur, [luftëtarët] po kthehen në Republikën e Serbisë dhe po bëhen liderë të propagandës dhe po inkurajojnë të tjerët të marrin pjesë në luftë apo konflikte të armatosura në vendet e tjera”.

Gazeta serbe Danas raportoi në prill 2016 se të paktën 20 serbë që luftuan krah forcave pro-ruse ishin kthyer dhe kishin arritur marrëveshje me prokurorinë; Ata u deklaruan fajtorë dhe presin të shlyejnë dënime të lehta.

Në Malin e Zi fqinj, një shtetas, Marko Baroviç, u dënua me gjashtë muaj burg në 15 prill, sepse luftoi për Republikën Popullore të Donetskut; Dënimi i parë i këtij lloji në vend.

Ndërkohë më 17 mars, Agjencia Malazeze e Hetimit dhe Mbrojtjes mësyu në ndërtesa të përdorura nga një person i dyshuar për përfshirje në luftimet në Ukrainë, sipas njoftimit të zyrës së prokurorisë boshnjake, e cila nuk dha detaje të mëtejshme.

Beriç tha se disa serbë që erdhën në Ukrainën lindore për të luftuar nuk janë kthyer në shtëpi sepse janë martuar dhe po jetojnë me familjet e tyre të reja aty. Herë pas here, ata mblidhen për të biseduar ndërsa konsumojnë ushqim ose pije, shtoi ai.

“Është bukur të dëgjosh gjuhën tonë,” tha ai.

Serbia në një pozitë të vështirë në Ukrainë

Konflikti në Ukrainë e ka vendosur Serbinë në një situatë të vështirë, pasi Beogradi është ndarë midis marrëdhënieve tradicionalisht të mira me Rusinë dhe orientimit pro BE, që përfshinte të paktën mbështetjen retorike për Ukrainën.

Pjesëmarrja e vullnetarëve serbë në anën pro-ruse, si dhe fakti që shumë politikanë serbë kanë promovuar politikën separatiste pro-ruse ka bërë që marrëdhëniet diplomatike midis Beogradit dhe Kievit të komplikohen, nëse mos të tensionohen.

Në dhjetor 2016, Serbia refuzoi t’i bashkohet në votë BE-së dhe SHBA-së për një rezolutë të OKB-së të propozuar nga Kievi, ku bëhej thirrje për monitorim ndërkombëtar të situatës së të drejtave të njeriut në Krime.

Të nesërmen, ambasadori ukrainas në Beograd, Oleksandar Aleksandroviç, i tha gazetës serbe Blic se “ky vendim mund të jetë një bumerang në përpjekjet [e Serbisë] për të mbajtur Kosovën”.

Më 13 prill, Aleksandroviç njoftoi se Ukraina kishte ndaluar për pesë vjet hyrjen e tre anëtarëve të Partisë Radikale Serbe për pjesëmarrje në festimin e “aneksimit të Krimesë nga Rusia”.

Ndërsa ambasadori nuk bëri të ditur emrat e trios së ndaluar, e përditshmja serbe Vecernje novosti raportoi në të njëjtën ditë se Ukraina kishte sanksionuar gjithashtu Nenad Popoviç, kreun e Partisë Popullore Serbe të djathtë, që është pjesë e koalicionit qeverisës.

Rrugë e lehtë për në fushëbetejë

Ndryshe nga disa histori të botuara në internet, Beriç tha se të bëhesh vullnetar është e thjeshtë – luftëtarët mjafton të marrin një avion për Rostov-on-Don në Rusi dhe pastaj një autobus përgjatë kufirit në Donetsk apo Luhansk në Ukrainë.

“Unë erdha nga Soçi, ku kam punuar, nëpërmjet Odesës në Sevastopol, ku u bëra anëtar i “Mbrojtjes së Sevastopolit”… pastaj shkova në Donbass,” shpjegoi Beriç.

Beriç ndryshoi disa herë njësitë ushtarake dhe tha se ishte mes luftëtarët rebelë që sulmuan aeroportin në Donetsk më 26 maj 2014 – beteja e parë nga dy beteja të përgjakshme për kontrollin e zonës strategjike, që e rrënoi atë.

“Në luftën për aeroportin, Ukraina humbi 94 njerëz, ndërkohë që ne humbëm një person – në çatinë e aeroportit nga të shtënat e një aeroplani”, kujton Beriç.

Ndryshe nga kujtesa e tij, megjithatë, udhëheqësi i Republikës Popullore të Donetskut, Aleksandër Borodai pranoi se në këtë aksion mbi 50 rebelë u vranë, ndërsa qeveria ukrainase këmbënguli se ushtria kombëtare nuk pësoi humbje.

Beriç pohoi gjithashtu se mori pjesë në krijimin e korridoreve për ndihma humanitare nga Rusia, se u plagos rëndë në një shkëmbim zjarri në Donetsk dhe se ishte burgosur në aeroportin Luhansk dhe më pas u shit në Batalionin famëkeq Aidar, që akuzohet për plaçkitje dhe krimet kundër të burgosurve.

Pas lirimit, ai vazhdoi të luftonte në disa nga betejat kyçe të konfliktit,

Beriç pohoi se suksesi më i madh i njësisë së tij ishte se nuk humbi asnjë njeri.

“Ne përfunduam me sukses çdo detyrë dhe, më e rëndësishmja, i shpëtuam njerëzit. Pati qindra të plagosur, por të gjithë janë gjallë”, tha ai.

Gjatë tre viteve të fundit, sipas tij gjithsej 11 serbë kanë luftuar në njësinë e tij.

“Të gjithë luftuan me ndershmëri, asnjëri prej tyre nuk bëri ndonjë gjë të paligjshme dhe mbajmë ende kontakte… Jam shumë i kënaqur sepse ende ka njerëz në Serbi që janë të gatshëm ta rrezikojnë jetën e tyre për një ide pa asnjë përfitim personal” ai shtoi.

Numri i të vdekurve vazhdon të rritet

Numri i njerëzve të vrarë në konfliktin ukrainas që nga prilli i vitit 2014 është vlerësuar nga OKB -ja të jetë rreth 10,000.

Beriç tha se beson se numri i viktimave do të rritet.

“Do të habiteni, kur lufta do të përfundojë, se sa njerëz kanë vdekur gjatë këtyre tre viteve dhe sa do të vazhdojnë vdesin. Dhjetëra mijëra,” tha ai, edhe pse u shpreh se kohët e fundit, shumica e luftimeve janë kufizuar në shkëmbimet e artilerisë dhe të shtënave me snajper.

Ai tha se përkundër përpjekjeve të ndryshme për të siguruar një armëpushim afatgjatë, përfshirë marrëveshjet e Minskut, të nënshkruar në shkurt 2015, luftimet vazhdojnë sepse “kushtet në këtë betejë nuk lejojnë një zgjidhje paqësore”. Ndërkohë, ukrainasit fajësojnë Rusinë për këtë.

Luftëtarët si Beriç marrin paga të rregullta, që fillojnë nga 15,000 rubla ruse në muaj (rreth 240 euro) për ushtarët në 50,000 rubla (rreth 800 euro) për komandantët.

“Si një kapiten, marr 20,000 rubla aktualisht, që është rreth 320 euro”, tha ai.

I pyetur nëse eventualisht do të kthehet në Serbi, Beriç tha se jeta e tij tani është e lidhur me Rusinë dhe Republikën Popullore të Donetskut, kështu që nuk planifikon të kthehet në shtëpi – megjithëse po të kthehej, do të përballej me ndjekje penale dhe ndoshta burg.

“Por kur të ndryshojë qeveria e pabesë [e Serbisë] dhe të ndryshojë ligji [i ri], do të vij si vizitor me siguri,” tha ai.

“Serbia është parajsë e vogël në tokë, por për fat të keq demonët janë në pushtet, dhe po përpiqen ta shtyjnë atë në anën tjetër, por unë besoj te Zoti dhe se Serbia do të jetë ajo që duhet një ditë”, shtoi ai duke shprehur shpresën se pro-forcat ruse do të marrin pushtetin edhe në Serbi një ditë.