Protesta e gazetarëve | Foto: KALLXO.com

‘Lufta’ nuk ka Përfunduar për Gazetarët

Sulmi i djeshëm fizik ndaj kryeredaktorit të Insajderit Vehbi Kajtazi, mblodhi sot në Prishtinë para ndërtesës së qeverisë gazetarët dhe punonjësit medialë në aksionin protestues për liri të shprehjes.

Shkëlqim Hysenaj deklaroi gjatë protestës se lufta nuk ka përfunduar për gazetarët.

“Ne si qytetarë të Rebublikës së Kosovës por edhe si komunitet i gazetarëve kemi besu se lufta jonë ka përfunduar në vitin 1999, megjithatë ne si komunitet po dëshmohet që jemi në një luftë që ta garantojmë lirinë e shprehjes dhe një liri për ta raportuar të vërtetën”, tha Hysenaj.

Gjatë protestës foli edhe i sulmuari dje- Vehbi Kajtazi.

Kajtazi deklaroi se sulmi që e lëndoi fizikisht nuk do ta ndalojë ta kryejë punën e tij.

“Ky presion që tashmë është kthyer në sulme fizike është i vazhdueshëm dhe është duke u rritur”, tha Kajtazi.

Ai më tutje deklaroi se njerëzit që po sulmojnë gazetarët janë të lidhur me politikën.

“Deri tash në asnjë rast këta individë sulmues nuk janë njerëz të thjeshtë, por të gjithë janë të lidhur me politikën”, tha Kajtazi.

Ndërsa Shkëlqim Hysenaj u ankua se institucionet e drejtësisë nuk po merren me sulmet ndaj gazetarëve.

“Sistemi i drejtësisë në veçanti duke përfshirë prokurorinë dhe gjykatat kanë treguar një neglizhencë në raport me rastet e gazetarëve”, tha Hysenaj.

Në mars për kërcënimet ndaj gazetarëve kryeprokurori Aleksandër Lumezi kishte caktuar si koordinator prokurorin Besim Kelmendi.

http://kallxo.com/gazetaret-prokuror-te-vecante-qe-heton-kercenimet/

Vehbi Kajtazi u sulmua dje në Prishtinë, ndërsa më 16 gusht të këtij viti ishte sulmuar edhe Parim Olluri, drejtori i Gazetës Insajderi.

http://kallxo.com/sulmohet-gazetari-vehbi-kajtazi/

Gazetarët kanë protestuar edhe më herët për sulmet ndaj tyre.