Lufta ia Mori Familjen, Paslufta Shtëpinë

Gratë në të gjithë Ballkanin ballafaqohen me beteja për ta mposhtur diskriminimin dhe për t’i ushtruar të drejtat e tyre ligjore për trashëgimi.

Gjatë konfliktit të Kosovës, policët serbë vranë para syve të saj bashkëshortin e Shyhrete Berishës, Nexhatin dhe katër fëmijët e tyre.

Fëmija i tyre më i vogël qe më pak se dy vjeç, ndërsa më i madhi pas dy muajsh do t’i mbushte 16.

Shyhretja u qëllua në stomak. Ajo u bë si e vdekur dhe e ngarkuan në një kamion krahas trupave të 50 shqiptarëve të tjerë të Kosovës, të vrarë në qytezën jugperëndimore të Suharekës më 26 mars 1999.

Ajo dhe dy të afërmit e saj, të vetmit të mbijetuar të masakrës, shpëtuan duke u hedhur nga kamioni që po lëvizte.

Në atë kohë, Shyhretja nuk e kishte imagjinuar se ajo mund të humbiste më shumë sesa bashkëshortin e saj, dy vajzat dhe dy djemtë. Por, që nga ajo kohë, ajo ka humbur edhe shtëpinë e tyre të përbashkët.

Shtëpia i takonte vjehrrit të saj. Pas luftës, thotë ajo, vjehrra i tha: “Për çfarë të nevojitet shtëpia? Të gjithë i vranë. Është shtëpia jonë tani.”

Historia e Shyhretes është një shembull ekstrem i një problemi që ekziston në të gjithë Ballkanin, megjithëse zakonisht ndodh në një formë më pak dramatike – diskriminimi i grave në rastet e trashëgimisë.

Në këto shoqëri patriarkale, pronat dhe asetet shpesh u kalohen trashëgimtarëve meshkuj të familjes, duke i përjashtuar gratë, pavarësisht të drejtës së tyre ligjore për të trashëguar.

Disa zyrtarë dhe aktivistë po përpiqen ta ndryshojnë këtë sjellje përmes kampanjave të reklamave dhe gratë po luftojnë për të drejtat e tyre përmes gjykatave. Por, ato përballen me rezistencë të fortë nga tradicionalistët dhe janë të lodhura nga sistemet e drejtësisë që janë të ngadalta dhe të mbingarkuara me punë.

Shyhretja thotë se burrat e Berishajve e arritën një marrëveshje gojore në vitin 1997 për ndarjen e pronave të familjes. Nexhati mori një pjesë të një shtëpie të madhe, ku ai dhe familja e tij jetonin. Vëllai i tij dhe më vonë fëmijët e vëllait, morën pjesën tjetër.

Megjithatë, pas luftës, Shyhretja thotë se ajo u kthye në shtëpi dhe e gjeti derën e kyçur. Familja e bashkëshortit të saj refuzoi t’i jepte asaj çelësat.

“E tëra që desha është që ata të më thoshin se isha e mirëseardhur në shtëpi”, rikujton ajo, gjersa gjendet në shtëpinë e prindërve të saj në fshatin Mushtisht pranë Suharekës.

Me ndihmën e organizatave ndërkombëtare bamirëse, Shyhretja mori trajtim jashtë vendit për plagët dhe traumën që pësoi. Ajo tashmë jeton në Gjermani, por u kthye në Kosovë këtë qershor për të bërë progres në një padi pranë gjykatës së Suharekës dhe për ta rikthyer shtëpinë e saj.

Shyhretja duket më e moshuar se sa 52 vjetët që ka. Kur përshkruan kohën me Nexhatin, ajo qesh – por nuk ka buzëqeshje në fytyrën e saj. Ata kishin një jetë të mirë, thotë ajo. Bashkëshorti i saj ishte punonjës në shtëpinë e kulturës të qytetit dhe ata merrnin qira nga dyqanet e vogla poshtë shtëpisë së tyre. Ajo kujdesej për fëmijët dhe shtëpinë.

Përpjekja për të rimarrë atë shtëpi ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë. Ajo i filloi procedurat ligjore 12 vjet më parë, por avokati i saj nuk u paraqit në gjykatë, kështu që çështja nuk u mor në konsideratë. Një avokat i ri, Ymer Koro, mori përsipër lëndën në shtator 2012.

Koro thotë se ligji është i qartë – për shkak se prona i pati kaluar bashkëshortit të Shyhretes, ajo duhet t’i përkasë Shyhretes tani. “Meqë ajo ishte e martuar në mënyrë të ligjshme, ajo ka të drejtë të trashëgojë”, thotë ai.

Familja e bashkëshortit të saj tregon një histori tjetër. Kunati i saj, Xhelal Berisha, këmbëngul se prona është në emrin e babait. “Para vdekjes së tij, ai ma la mua me testament”, thotë ai. Shyhretja dhe avokati i saj mohojnë se ekziston një dokument i tillë.

Xhelal Berisha, ndërkohë ka çelësat e shtëpisë dhe i jep me qira dyqanet poshtë tyre. “Unë i paguaj taksat e pronës, kështu që e marr qiranë”, thotë ai. “I kam thënë Shyhretes: ‘Ti je e mirëseardhur në shtëpi.’ Por ajo refuzon të vijë.”

Duket sikur më në fund ka ardhur koha e duhur që sistemi i drejtësisë të japë vendimin. Por, Shaban Zeqiraj, gjykatësi përgjegjës për çështjen në Gjykatën e Suharekës, thotë se ai është “i mbingarkuar me 800 dosje.” Gjykata zhvilloi më në fund një seancë paraprake në shtator, por çështja mbetet e pazgjidhur.

Koro pranon se sistemi i drejtësisë së Kosovës ka një numër shumë të madh lëndësh në shqyrtim, por mendon se kjo nuk e tregon tërë realitetin. “Gjykatat janë të mbingarkuara, por ato gjithashtu nuk kanë vullnetin për të punuar,” thotë ai.

Vazhdimin e artikullit mund ta lexoni në këtë link