“Lufta” e Kallxo.com për Transparencë dhe Llogaridhënie

Një qytetar kishte raportuar në KALLXO.com se Naser Bajraktari – Drejtues i Departamentit të Ujërave në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), nuk i kishte deklaruar 10 mijë euro në Agjencionin Kundër Korrupsion (AKK) të cilat i kishte fituara në një projekt të “GIZ”-it.

Në qershor 2014 gazeta “Jeta në Kosovë” ka shkruar për këtë. Po ashtu, në shtator të po këtij viti KALLXO.com raportoi përmes shkresës në AKK-së.

Më pas AKK-ja, në tetor 2014 njoftoi se rasti përfundoi me kallëzim penal ndaj Naser Bajraktarit.

Raportimi i gazetës “Jeta në Kosovë” dhe Kallxo.com-it dha efektin e vet. Naser Bajraktari në maj 2015 u suspendua për mosdeklarim të pasurisë (10 mijë euro) në AKK, dhe në qershor të po këtij viti dënohet me 2 muaj burg dhe 200 euro gjobë.

“Lufta” e BIRN-it për transparencë ndaj publikut vazhdoi. Në këtë rast, BIRN-i në vitin 2012 ka paditur Zyrën e Kryeministrit (ZKM) për moslejim të qasjes në shpenzimet e  bëra nga kryeministri i atëhershëm  Hashim Thaçi dhe zëvendës-kryeministrat dhe ministrat.

Në seancën dëgjimore të 26 majit 2015 Zyra e Kryeministrit nuk dërgoi përfaqësues.

Më pas Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë Aktgjykim me të cilin ka aprovuar kërkesë-padinë e BIRN-it si të bazuar. ZKM-ja bëri ankesë kundër aktgjykimit. BIRN-i ka përgatitur përgjigje në ankesë dhe do të vazhdojë rastin.

Edhe më tutje vazhdohet me kërkimin e transparencës dhe llogaridhënies. Në maj 2015 një qytetar ka raportuar në KALLXO.com për vjetërsimin e një lënde. Për ta parë këtë, “Drejtësia në Kosovë” më 8 maj 2015, pas hulumtimit publikon të dhëna për vjetërsimin e një lënde të korrupsionit në Gjilan. Për t’u siguruar që amaneti ka shkuar në vend, 11 maj KALLXO.com përmes shkresës njoftoi Zyrën e Prokurorit Disiplinor (ZPD).

Po në këtë muaj, ZPD-ja fillon hetimin disiplinor preliminar pas informatave të marra nga “Drejtësia në Kosovë”.

Më 22 qershor 2015, ZPD-ja ka njoftuar se pas hetimit preliminar ka filluar procedura disiplinore.

Të interesuar se ku po shkon paraja publike, “Drejtësia në Kosovë” më 5 qershor 2015 publikoi të dhënat për faljen e borxheve në Administratën  Tatimore të Kosovës (ATK), pas marrjes së disa informatave në KALLXO.com.

ATK-ja zyrtarisht nuk ka falur asnjë borxh, por në të dhënat e tyre figurojnë 46 biznese që u janë falur borxhet. Policia është duke hetuar dyshimet për falje të 20 milion eurove.

“Drejtësia në Kosovë” transmetoi intervistat e zyrtarëve të ATK-së se çfarë ka ndodhur me borxhet e falura. Policia ka zgjeruar hetimet edhe për milionat e tjerë.

Pas informatës në KALLXO.com dhe hulumtimit dyjavor, “Drejtësia në Kosovë” në emisionin e 26 qershorit ka siguruar prova që dëshmojnë se Emir Azemi – këshilltar i Kryetarit të Kuvendit, ishte i akuzuar.

Emir Azemi ishte arrestuar nga Policia 11 prill 2006 me dyshimin se u kishte shitur ushtarëve të KFOR-it, 6 g marihuanë.

Në aktakuzë në prokurori gjendej vendimi me të cilin i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak për 1 muaj.

Gjykata Themelore e Mitrovicës, pas kërkesës së bërë nga “Drejtësia në Kosovë”, kthen përgjigje dhe thotë se lënda është e hapur.

Lënda nuk u shqyrtua sepse ka mbetur në objektin në veri të Mitrovicës. Për më shumë informata “Drejtësia në Kosovë” iu drejtua Këshilltarit për Media të Kryetarit të Kuvendit.

Të njëjtën ditë kur DnK po interesohej, Emir Azemi dha dorëheqje.

Për më tepër, gjatë muajit qershor 2015, nga Zyra Ligjore e BIRN-it janë dërguar gjithsej 20 shkresa, shtatë prej të cilave BIRN-i ka pranuar përgjigje.

Platforma online www.KALLXO.com ofron mundësinë për të gjithë qytetarët e Kosovës që të raportojnë rastet e korrupsionit, krimit të organizuar, mashtrimit, konfliktit të interesit si dhe të gjitha rastet e tjera të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, neglizhencës, mospunës, rrezikimit të të drejtave të qytetarëve të Kosovës, apo rrezikimit të interesave të përgjithshme.