Kuvendi Komunal i Prishtinës - Foto: Kallxo.com

Loja Partiake Shqiptaro-Shqiptare për Një Copë Tokë

Asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të  Lidhjes Demokratike të Kosovës bojkotuan mbledhjen e jashtëzakonshme të kuvendit komunal të thirrur nga kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.

Në mbledhje pritej të diskutoheshin dy pika të rendit të ditës për caktimin e parcelës për ndërtimin e Ambasadës së Shqipërisë.

Propozim-Vendimi për Dhënien e Pëlqimit për Ndërrimin e Destinimit të Parcelës në Kuadër të Planit Rregullues “Lakërishta” për Ndërtimin e objektit të Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë si dhe Propozim-Vendimi për Dhënien e Pronës së Paluajtshme të Komunës së Prishtinës në Shfrytëzim Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, ishin dy pikat të cilat priteshin të miratoheshin në mbledhjen e jashtëzakonshme të kuvendit komunal.

Por mbledhja dështoi ngase të pranishëm ishin vetëm 21 nga 51 asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

“Vetëvendosja” e kritikoi LDK-në që bllokadën për pronën e ambasadës po e bën sepse po dëshiron që atë parcelë ta mbajë për seli të LDK-së.

LDK-ja zyrtarisht nuk deshi të prononcohet, por një zyrtar i kësaj partie konfirmoi për KALLXO.com që në vitin 2011 Kuvendi Komunal i Prishtinës ka marrë vendim që prona e cila gjendet afër ish- shoqatës së shkrimtarëve që ishte selia e Ibrahim Rugovës gjatë rezistencës paqësore, ishte vendosur të dhurohej për të ndërtuar selinë e LDK-së.

Por kjo pronë në bazë të fakteve te ofruara nga Komuna e Prishtinës duket kurrë të mos ketë kaluar në emër të LDK-së në bazë të të dhënave kadastrale që ia dha KALLXO.com-it Dardan Sejdiu.

“Fleta poseduese është e qartë që kjo pronë është e kuvendit komunal dhe nuk është e regjistruar si pronë e dikujt tjetër pos e kuvendit komunal,” deklaron ai.

Zyrtari i LDK-së tha: “Kjo pronë edhe mund te mos ketë kaluar në emër të LDK-së, por VV-ja e di fort mirë që ajo zonë është menduar për seli të LDK-së për shkak të rëndësisë historike që ka për LDK-në dhe për krejt Kosovën dhe për inati po ia jep ambasadës pikërisht atë pronë që e di që e kemi ndarë për LDK”.

Disa burime tjera të afërta me LDK-në i thënë KALLXO.com se këtë po e përjetojnë si hakmarrje të VV-së për bllokadën që po i bën Avdullah Hoti, ministër i LDK-së Shpend Ahmetit, kryetarit të Komunës së Prishtinës në projektin e autobusëve.

“Këtu e kemi një lojë, VV-ja s’do me ia dhanë selinë LDK-së, por ka vendos me ja dhanë ambasadës së Shqipërisë masi LDK s’po ia aprovon Ahmetit kredinë për t’i blerë autobusët e premtuar për Prishtinë,

I kontaktuar nga KALLXO.com Haki Abazi që mbulon Ballkanin Perëndimor për Fondacionin “Vëllezërit Rokfeller”, tha se çështja e alokimit të tokës për ndërtimin e ambasadës së Shqipërisë është edhe një rast tjetër kur çdo gjë është e politizuar skajshmërisht duke përfshirë edhe marrëdhëniet diplomatike me shtetet fqinje.

“E kemi rastin e demarkacionit që është bërë problem me Malin e Zi dhe Maqedoninë në të kaluarën, kemi pasur edhe rastin e politizimit të marrëdhënieve tregtare për çështjen e patateve dhe çimentos me Shqipërinë dhe kjo çështja e fundit dëshmon që çdo gjë që është në duar të politikës është pazar dhe kusuritje për interes a të ngushta dhe tregon papjekuri politike,” tha Abazi.

Ai gjithashtu kritikoi Komunën e Prishtinës që priti 2 ditë para takimit të dy qeverive që ta vë këtë pikë në agjendë.

“Kjo tregon edhe njëherë që ka mungesë të planifikimit paraprak strategjik, mungesë të përcaktimit të politikës së jashtme për marrëdhënie bilaterale dhe kjo dëshmon gjithashtu një çakordim të plotë të vendimmarrjes së pushtetit lokal me atë qendror, e që tregon që vendimet bëhen vetëm në vija partiake dhe jo ato institucionale. Refuzimi i LDK-së dhe PDK-së që të votojë propozimin e bërë nga VV-ja dy ditë para takimit ndërqeveritar tregon finishin e turpshëm të të dy anëve për ta shpallur vetën fitues pa vrapuar fare,” tha ai.

Kryeredaktorja e gazetës Zëri, Arbana Xharra tha për KALLXO.com se thirrja për diskutimin e kësaj çështjeje ka qenë e vonshme.

“Më shumë e shoh konflikt LDK-VV kur LDK-ja thirret që është parcelë e vetja, por njëherit e shoh të vonshme iniciativën e VV-së me e qit në diskutim këtë çështje vetëm dy ditë para se me u mbajt mbledhja në mes të dy qeverive,” tha Xharra.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës Dardan Sejdiu e mbrojti këtë vonesë.

“Kryesuesi ka pasë obligim privat dhe nuk kemi arritë me e mbajt mbledhjen kur kemi kërkuar, 4-5 ditë ma vonë e kemi dakordu datën ma të afërt. Na u ka dashtë kohë me u dakordu me ambasadën për lokacion dhe kemi menduar që është mirë me pas një lajm të tillë para mbledhjes,” tha ai.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë shefat e asamblistëve të LDK-së dhe PDK-së në lidhje me mospjesëmarrjen në këtë mbledhje dhe akuzat e “Vetëvendosjes” në Prishtinë se kjo pronë i është ndarë LDK-së, mirëpo nuk mori përgjigje nga ta.

Ndërkaq Autoritet e Shqipërisë ia kanë konfirmuar KALLXO.com se Shqipëria ia ka dhënë Kosovës tokën mes Tiranës ku i ka mundësuar ndërtimin e ambasadës prej 5 katesh.