Tryeza e organizuar nga KOSID me temën "E ardhmja e sektori të energjisë në Kosovë", Foto: Kallxo.com

Lluka: Moszbatimi i marrëveshjes me Serbinë, sfida më e madhe në sektorin e energjisë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në tryezën e diskutimit të organizuar nga KOSID me temën “E ardhmja e sektorit të energjisë në Kosovë” ka theksuar se një ndër sfidat më të mëdha të sektorit të energjisë në Kosovë është moszbatimi i marrëveshjes me Serbinë, në fushën e energjisë.

Sipas tij, kjo po pengon edhe mosfunksionimin e linjës 400 kilovoltëshe të interkonjeksionit me Shqipërinë dhe integrimin e Kosovës në rrjetin rajonal dhe europian të energjisë.

“Shpresojmë që sa më shpejtë ta zgjidhim problemin me Serbinë”, ka deklaruar i pari i MZhE-së.

Në tryezën e organizuar nga KOSID, përveç ministrit Lluka pjesëmarrës ishin edhe pjesëtarë të shoqërisë civile, profesorë universitarë, përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të fushës së energjisë.

Ministri Valdrin Lluka gjatë fjalimit të tij në këtë tryezë diskutimi tha se para se të flitet për të ardhmen e sektorit të energjisë duhet të flitet për situatën në të cilën ndodhet sot Kosova.

“Asetet e vjetra si Kosova A janë të amortizuara, janë ndotës të mëdhenj. Furnizimi i tyre nuk është stabil, kjo nënkupton edhe humbje për bizneset. Masat e eficiencës kanë qenë të limituara. Humbjet teknike ne vazhdojmë t’i kemi tepër të larta sidomos nga kyçjet ilegale. Kjo është situata dhe ne nuk duhet të qëndrojmë indiferent”, ka theksuar Lluka.

Lluka deklaroi se jemi në një kohë kur duhet ta mbyllim Kosovën A, e cila duhet të zëvendësohet me një kapacitet të ri dhe se po ashtu duhet të investohet në rehabilitimin e TC Kosova B.

“Këto janë investime që do të ndikojnë pozitivisht në ambient”, theksoi Lluka.

Ai gjithashtu duke shikuar në një të ardhme pas 20 viteve ka thënë se mendojnë ta mbyllin Kosovën B dhe duhet të punohet në energji të ripërtëritshme.

“Deri në fund të vitit parashihet 105 megavat funksionale me energji të ripërtëritshme. Energjia e ripërtëritshme ka sfida për shkak te paparashikushmërisë në prodhim”, tha Lluka.

Ai tha se e sheh Kosovën që në vitin 2040 shumica e kërkesave të vijë për energjinë e ripërtëritshme, dhe shumica e energjisë të vijë nga energjia e ripërtëritshme.

“Është edhe projekti për 240 objekte brenda një periudhe 3 vjeçare me efiçiencë të energjisë kryesisht institucione të shëndetësisë dhe universitare. Kemi filluar që përmes ligjit të investimeve strategjike, të realizohet parku solar, 150 megavat, njëri ndër parqet më të mëdha në Evropë, i cili do të sillte në 600 megavat me të gjitha licencat e tjera”, ka potencuar ministri Lluka.

Një ndër synimet e MZhE-së sipas Llukës është edhe ndryshimi i dhënies së licencave për përdoruesit e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

“Të ndryshojmë dhënien e licencave nga ato me tarifa te ato me ankand dhe me çmim Premium”, ka deklaruar Lluka.

Lluka tha se në Gjakovë po bëhet ndërrimi nga mazuti në biomasë, nga 2 euro për metër katror në 40 cent për metër katrorë që është shumë më e volitshme për qytetarët.

“Të gjitha këto janë për të stabilizuar kërkesën në vend, për ta stabilizuar kërkesën në verë dhe në dimër se e dimë që te ne kemi më shumë kërkesë për energji në dimër se sa në verë”, ka deklaruar në fund ministri Lluka.

Lulzim Syla, përfaqësues i kompanisë private “Elen”, e cila merret me shitjen e produkteve dhe shërbimeve në fushën e elektroenergjetikës ka potencuar se komuniteti i biznesit gjithmonë është ballafaquar me humbje të mëdha deri në 800 milion euro në vit nga problemet me energjinë elektrike.

Ai ka thënë se njëra prej arritjeve të tyre pas lobimit në qeverinë e Kosovës është eliminimi i doganës për panelet solare.

“Pas katër viteve diskutime kemi arritur me eliminu doganën për panelet solare”, ka deklaruar Syla.

Ai tregoi se Kosova konsiderohet me kapacitet deri në 500 megavat energji të ripërtëritshme solare.

“Nëse do të plotësoheshin kushtet, deri në 2023 ne si komunitet i bizneseve do të instalonim 100 deri 300 megavat energji të ripërtëritshme”, ka deklaruar Syla.

Sipas tij nëse ministri Lluka del me një video duke thënë që hiqet TVSH-ja për veturat elektrike, kjo do të ketë impakt sidomos në mbrojtjen e ambientit.

Visar Azemi, koordinator i KOSID gjatë tryezës së diskutimit është shprehur se fokusi i KOSID-it është te energjia, për shkak të telasheve qe ka pasur ky sektor.

“Jemi marrë me probleme që kanë të bëjnë me humbjen teknike, efiçencën e energjisë, burimet e ripërtëritshme, me problemet e banorëve në Hade, me problemin e ndotjes së ajrit, problemin e Interkineksionit me Shqipërinë, tregun e përbashkët me Shqipërinë, integrimin e Kosovës në tregun rajonal dhe evropian”, ka deklaruar Azemi.