Ministri Valdrin Lluka në konferencën e fundvitit | Foto: KALLXO.com

Lluka: Kontrata për Termocentralin Mund të Bëhet Publike Nesër

Në konferencën përmbyllëse për vitin 2017, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se kontrata 1.3 miliard euro e nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Countur Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” do të mund të bëhet publike nesër.

“Kontrata do të hapet, nuk do ta mbaj barrë, do të hapet e do të diskutohet, kam kërkuar kohë deri këtë të premte se janë disa procese teknike që janë diskutuar me Countur Global. Negociatat kanë përfunduar dhe deri nesër të hapet, ka mundësi të vonesës dyditore por ajo do të hapet”, ka theksuar Lluka.

Ministri Lluka gjatë kësaj konference ka potencuar se energjia ka qenë temë në vitin 2017 dhe sipas tij gjatë këtij viti është çuar përpara Strategjia e Energjisë 2016 – 2017 që pritet t’i shkojë Kuvendit në janar.

“Energjia ka qenë temë në vitin 2018, nënshkrimi i kontratës me “Countur Global” me vlerë 1.3 miliard euro, projekti i rehabilitimit të Kosovës B, faza e parë ndërrimi i filterave. Plan i fundit ka qenë shpronësimi i Shipitullës që e ka mbajtur peng Kosovën qe dy vjet, ka qenë problem shumë i madh ku nuk ka pasur insistim të madh nga qeveritë e kaluara me zgjidhë këtë problem”, ka shtuar ministri Lluka.

Gjatë këtij takimi me gazetarë ministri dha edhe lajmin se në orën 3 në mëngjes e ka marrë informacionin nga Arben Gjukaj që edhe blloku B2 ka hyrë në funksion e tash do të prodhohen 720 megavatë energji elektrike, gjenerimi do të jetë i madh e nuk do të ketë ndërprerje.

Po ashtu ai ka theksuar se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

“Fillimisht kur është krijuar ekipi emergjent, kanë bërë kalkulimet e të gjitha skenareve, nëse nuk gjenerojmë energji do të kemi humbje 42 milionë, në secilin rast do të kishim rritje të çmimit të energjisë elektrike deri ne 18 për qind, nga zhvendosja në Shipitullë fillimi i menjëhershëm i punës, edhe me funksionalizimin e Bllokut B2 nuk ka nevojë të ketë ngritje të çmimit të energjisë elektrike”, ka shtuar Lluka

Ministri Valdrin Lluka ka thënë se në vitin 2018 prioritet do të jetë funksionalizimi i Bordit të Trepçës.

“Mbeten si politika funksionalizimi i Trepçës, kemi krijuar një komision i cili ka filluar me intervista, krijimi i bordit është prioritet në tremujorin e parë, ligji për miniera e minerale, ka kaluar në qeveri tash ka shkuar në parlament, janë shpallur 11 zona me interes të veçantë ne të cilat nuk guxohet të ndërtohet, kur të aktivizohen këto zona do të bëhet për investime të jashtme”, tha Lluka.

Ai e cilësoi sfidë tërheqjen e investimeve në “Trepçë”.

“Sfidë e gjashtëmujorit të parë është tërheqja e investimeve të jashtme në Trepçë. Kam marrë një ftesë për në mars nga homologu kanadez ku do të prezantoj ‘Trepçën’ dhe tri zonat e hapura për investime të huaja”, ka potencuar ministri Lluka.

Më tej ai ka thënë se 70 objekte publike do të bëhen funksionale duke filluar prej muajit shkurt dhe mars kur do të inaugurohen 10 deri 12 objekte, kurse 20 janë në ndërtim e sipër.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka po ashtu ka përmendur si prioritet edhe vazhdimin e rrjetit të Termokosit.

“Rreth 15 milionë euro do të investohen për shtrimin e rrjetit të Termokosit. Do të bëhet studimi i fizibilitetit edhe për ngrohtoret në qytetet e tjera”, ka thënë ai.

Ndër prioritetet e ministrisë së tij ka thënë se do të jenë edhe funksionalizimi i bursës me Shqipërinë, marrëveshje e cila është nënshkruar me 28 nëntor në Shqipëri,  zhbllokimi i linjës së transmisionit 400 kw si dhe trajtimi i mbi 60 për qind të ujërave të zeza në Kosovë nga 2 për qind që është sot.

Sa i përket projekteve në teknologjinë informative ministri Lluka ka thënë se do të jetë krijimi i atlasit elektronik për infrastrukturës telekomunikuese brezgjerë në Kosovë.

“Ky atlas elektronik do ta bëjë Kosovën njërin nga vendet me shtrirjen më të gjerë të internetit”, ka theksuar ministri Lluka.

Po ashtu ministri ka thënë se parashihet që nga fillimi i vitit 2019 do ta kemi domenin e Kosovës.

“Ai do të ketë shumën prej 300 mijë eurove, ende nuk dihet si do të menaxhohet, kjo mbetet të diskutohet”, ka përfunduar Lluka.