LIVE- Veteranët e Luftës në Protestë

Xhevdet Qeriqi e ka shpallur të mbyllur protestën e sotme, por jo edhe kërkesat ndaj qeverisë.

“Kërkojmë nga qeveria të reflektojë dhe t’i marrë parasysh kërkesat tona dhe të mos na detyrojnë prapë të dalim në rrugë sepse nuk do t’i marrim përgjegjësi për pasojat”, tha Qeriqi duke u bërë thirrje veteranëve të shpërndahen.

12:06

Para nisjes së marshit protestues, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Xhevdet Qeriqi tha se arsye e kësaj proteste janë ato që ai i cilësoi si padrejtësi ndaj veteranëve.

“Qeveria duhet t’i kryejë obligimet ndaj veteranëve, ta formojë një komision për njohjen e shkallës së veteranit, shqyrtimin e ankesave për veteranët dhe që Komisioni të marrë masa ndaj lëshimeve që i kanë bërë”, tha Qeriqi.

Ai kërkoi që “të hiqen nga listat ata persona që kurrë nuk kanë qenë në UÇK”.

11:58

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar sot një protestë në mesditë për shkak të pakënaqësive me vonesat në pagesat e pensioneve për veteranë.

Protesta do të mbahet para ndërtesës së qeverisë së Kosovës dhe KALLXO.com do ta bëjë transmetimin e drejtpërdrejtë të saj.

Pak minuta para se të misë protesta, para ndërtesës së qeverisë janë grumbulluar një numër i veteranëve dhe disa policë që po kujdesen për mbarëvajtjen e saj.