Me Litar mbi Bukuritë e Grykës së Rugovës

Turistëve dhe adhuruesve të natyrës, sidomos ata që i pëlqejnë bukuritë e Grykës së Rugovës, tani e kanë mundësinë që pamjet magjepsëse të kësaj zone t’i shijojnë në një mënyrë krejt të veçantë.

Pas shtegut “Via Ferrata”, atraksioni i radhës është rrugëtimi përmes litarit, i njohur si “Zip-line”.

Kjo mënyrë e re e ecjes nëpër bukuritë e Grykës së Rugovës dhe mbi to është mundësuar kohëve të fundit dhe pritjet janë që “Zip-line” të ndikojë në rritjen edhe më të madhe të numrit të turistëve si dhe në promovimin e bukurive të këtij rajoni.

Kohë më parë KALLXO.com ka raportuar për shtegun “Via Ferrata”.

http://kallxo.com/via-ferrata-rruga-qe-do-te-sjelle-turistet-ne-peje/

Projekti “Zip-line” është realizuar falë bashkëpunimit të Komunës së Pejës, organizatës  “Swisscontact” dhe grupit “Merimangat e Pejës”. Këta të fundit përkujdesen për secilin lëshues në shtegun “Zip-line”.

Kryetari i shoqatës alpiniste “Merimangat e Pejës”, Nol Krasniqi, tha për KALLXO.com së ky projekt i realizuar ka nxitur interesimin e shumë qytetarëve.

“Interesimi çdo ditë po vjen duke u shtuar. Zakonisht vikendit ka ma shumë njerëz që vijnë për ta vizituar Grykën e Rugovës e pastaj vendosin për ‘Zip-line’”, tha Krasniqi.

KALLXO.com sjell momente të lëshuarjes në shtegun “Zip-line”, që gjendet në kilometrin e tretë në Grykë të Rugovës.

“Produkti i fundit turistik që kanë krijuar shoqata e alpinistëve ‘Merimangat e Pejës’ është ‘Zip-line’, që është me gjatësi 645 metra. Pa dyshim që ‘Zip-line’ ka kontribuar në ofertën turistike që Peja ofron sot”, tha Nol Krasniqi për KALLXO.com.