Deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës | Foto: Atdhe Mulla

Lista Serbe nuk Voton Marrëveshjen e Demarkacionit

Në një komunikatë Lista Serbe ka bërë të ditur se nuk do ta votojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi

“Lista Serbe nuk do të votojë demarkacionin me Malin e Zi, pavarësisht pretendimeve të pavërteta dhe tendencioze të plasuara në të gjitha mediat në gjuhën shqipe, të cilat i transmetuan edhe një pjesë e mediave në gjuhën serbe”, thuhet në komunikatë.

Lista Serbe më tutje tregon se me ta askush nuk është marrë vesh për votimin e demarkacionit.

“Një gjë e tillë nuk është dakorduar me ne dhe nuk do ta përkrahim demarkacionin, siç pretendohet rrejshëm, por do të vazhdojmë të luftojmë për interesat e popullit serb në Kosovë, e jo për interesa të disa qendrave të fuqishme të jashtme e të brendshme”, sqaron Lista Serbe në komunikatë.

Ky subjekt politik paralajmëron serbët në Kosovë se edhe në të ardhmen mund të ketë përpjekje të tilla për dezinformim, por u bën thirrje atyre që bashkë me Listën Serbe të qëndrojnë të bashkuar.