Bajram Pajaziti në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Lirohet Vëllai i Zahir Pajazitit

Gjykata Themelore në Prishtinë liroi sot nga akuza për shpërdorim detyre zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Bajram Pajazitin e Bajram Azemin.

Bajram Pajaziti që është vëllai i heroit Zahir Pajaziti dhe Bajram Azemi akuzoheshin nga prokuroria se kanë nxjerrë vendime të kundërligjshme me të cilat ia kishin mundësuar Rexhep Haxhës marrjen e pensionit të familjes së dëshmorit për djalin e tij të vrarë gjatë luftës Bahri Haxha.

Sipas prokurorisë Rexhep Haxhës i ishte ndarë pensioni për djalin e tij të vrarë në maj të vitit 1999, edhe pse Haxha nuk kishte dokument nga Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së, i cili ishte i nevojshëm për të përcaktuar ata që janë dëshmorë.

Gjatë procedurës gjyqësore të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, ndërsa prokuroria kishte kërkuar dënimin e tyre.

http://kallxo.com/vellai-heroit-zahir-pajaziti-deklarohet-pafajshem/

Sipas aktakuzës, Bajram Azemi, në cilësinë e Kryesuesit të Divizionit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Departamentin për Familjet e Dëshmorëve Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, si dhe i akuzuari tjetër, Bajram Pajaziti në cilësinë e Drejtorit në po të njëjtin departament, kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, duke i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm Rexhep Haxhës.

Gjithnjë sipas aktakuzës,  Bajram Azemi e ka nxjerrë një vendim me anë të së cilës Rexhep Haxhës i njihet e drejta në pension të familjeve të Dëshmorëve, për djalin e tij të ndjerë Bahri Haxha.

Pajaziti dhe Azemi ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, me pretendimin se Rexhep Haxhës i kanë sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm në shumë prej 13,900,98 euro.