Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Lirohet U. D. i Kryeinspektorit të Punës

Ish-ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit në Inspektoratin e Punës Skender Gashi është liruar nga Gjykata e Apelit.

Lajmin për lirimin e Gashit e bëri të ditur avokati i tij Nikë Shala.

“Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën time si të bazuar si dhe pretendimet ankimore te cilat i kam elaboruar ne seancën e kolegjit penal”, tha avokati Shala.

Skender Gashi ishte dënuar me 1 vit burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë për keqpërdorim detyre.

Por avokati Shala tha se ndaj Gashin nuk kishte ndonjë provë për këtë vepër penale.

“Nuk ka asnjë provë materiale që vërteton dyshimin e bazuar se Skender Gashi ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, se nuk kemi të bëjmë me përfitim të dobisë pasurore për vete apo tjetrin, apo se është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës”, tha avokati Shala.

KALLXO.com kishte shkruar për procesin gjyqësor ndaj Skender Gashit dhe tre inspektorëve të tjerë.

Ata akuzoheshin se ulën gjobën ndaj një ndërmarrjeje, por tre inspektorët tjerë ishin liruar nga gjykata themelore.