Lirohet Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj prej sot është i lirë, pasi gjykata në Colmar të Francës ka refuzuar kërkesën ekstraduese të Serbisë.

Haradinaj, duke iu drejtuar medieve dhe të pranishmëve para gjykatës tha se në këtë përballje kanë fituar shqiptarët.

“Procedura u mbyll, është refuzu kërkesa për ekstradim. Po shkoj me marrë pasaportën”, tha Haradinaj.

Ai deklaroi më tutje se shpreson që sot do të kthehet në Kosovë.

Haradinaj ndalimin e tij në Francë për katër muaj e konsideroi humbje kohe.

“Janë hup katër muaj kohë  nuk është pak është kohë e çmueshme”, tha Haradinaj.

Haradinaj u ndalua nga autoritetet e Francës më 4 janar në bazë të një fletarrestim të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia.

Ai qëndroi në këtë shtet deri sot, pasi nuk kishte të drejtë ta lëshojë Francën derisa të merrej vendimi për kërkesën ekstraduese të Serbisë.

Shkrimet për Haradinajn që nga ndalimi i tij në Francë mund t’i lexoni këtu.