Gjykata liroi Xhevahire Vatovcin | Foto: KALLXO.com

Lirohet ish-Zyrtarja e Prokurimit të Policisë

Gjykata Themelore në Prishtinë për mungesë provash e liroi sot nga akuza për keqpërdorim detyre ish-zyrtaren e prokurimit në Policinë e Kosovës Xhevahire Vatovci.

Vatovci akuzohej në lidhje me një tender derivatesh për policinë me të cilin prokuroria pretendonte se i është shkaktuar dëm buxhetit të Policisë së Kosovës.

Ish-zyrtarja e prokurimit në ditën kur u dha fjala përfundimtare, tha se nuk do të lejonte asnjë operator ekonomik t’i shkaktonte dëm policisë.

Vatovci akuzohej nga ish-Prokuroria e Qarkut në Prishtinë se në cilësinë e zyrtares së Zyrës së Prokurimit në Policinë e Kosovës dhe si kryetare e komisionit për vlerësim, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për ndërmarrjen private “HIB Petrol” SH.P.K. nga Ferizaj ka shpërdorur pozitën zyrtare dhe ka tejkaluar autorizimet zyrtare duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik në Kosovë.

Sipas aktakuzës, “HIB Petrol” SH.P.K në bazë të derivateve të shpenzuara gjatë periudhës 06 prill 2009 deri 31 dhjetor 2010 ka përfituar shumën prej 280.370,91 euro, shumë kjo me të cilën ka dëmtuar buxhetin e Policisë së Kosovës.

Aktakuza ndaj Vatovcit ishte ngritur më 17 tetor 2011.

Ndaj Vatovcit ishte ngritur edhe një aktakuzë tjetër në lidhje me një tender për armë, por pas afatit dyvjeçar ishte marrë vendim nga gjykata për hedhje poshtë të aktakuzës dhe pushimin e procedurës penale ndaj ish-zyrtares dhe të akuzuarve tjerë.

http://kallxo.com/te-pafajshem-te-akuzuarit-per-aferen-e-armeve-te-policise/