"Gratë me të zeza" përkujtojnë viktimat e luftës në Kosovë në vitin 2014. Foto: BIRN/Marija Ristic.

Lirohet ish-Polici për Kërcënim të ‘Grave në të Zeza’

Gjykata e Lartë në Beograd të mërkurën liroi nga akuzat Pocuca-n për vënien në rrezik të “Grave me të Zeza” në lidhje me një deklaratë që ai bëri në Facebook në vitin 2014 ku u bënte thirrje huliganëve të futbollit të shënjestronin grupin serb të paqes.

“Për të gjithë ata që kishin dyshime – drejtësia gjithmonë triumfon në fund,” shkroi në Facebook Pocuca pas vendimit.

Pocuca e bëri kërcënimin e pretenduar pasi “Gratë me të Zeza” organizuan një përkujtimore në Beograd duke shënuar 15 vjetorin e krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës.

“Në vend që të luftoni njëri-tjetrin, duhet të bashkoheni dhe të luftoni atë që e meriton vërtet këtë,” tha Pocuca.

“Gratë me të Zeza” janë aktive vetëm kur është e nevojshme “të pështyhet” mbi serbët, duke vënë në dukje krimet e dyshuara dhe të pavërtetuara nga Ushtria Serbe, policia dhe vullnetarët,” shtoi ai.

Mbrojtja e tij argumentoi në gjykatë se ai kishte të drejtën e lirisë së fjalës, se ai nuk i kërcënoi aktivistet e paqes dhe se u kishte kërkuar ndjesë atyre.

Por prokurori tha se ai synonte të provokonte një sulm mbi gratë.

“Liria e shprehjes i përjashton këto lloj deklaratash që nxisin urrejtje dhe dhunë,” u shpreh prokurori, sipas televizionit TV N1 në Beograd.

Gjatë gjyqit, aktivistja e “Grave me të Zeza” Violeta Dikanoviq tha në gjykatë se pas postimit në Facebook të Pocucës, grupi i paqes mori “një sërë kërcënimesh në Facebook dhe nëpërmjet postës elektronike”.

Pocuca u hoq nga detyra e tij si zëdhënës i policisë së antiterrorizmit pas komenteve të tij nxitëse.

Por edhe pse ishte nën gjykim, atij nuk iu konfiskua pasaporta, kështu që ai u largua nga Serbia dhe udhëtoi në Ukrainën Lindore për t’iu bashkuar rebelëve të mbështetur nga Rusia që luftojnë kundër qeverisë së Kievit.

Pasi u rikthye, ai u dënua në korrik të këtij viti për pjesëmarrje në një konflikt të huaj dhe u dënua me një vit e gjysmë liri me kusht.