Nga gjykimi për fajde dhe vepra tjera i Tunë e Gjon Kqirës dhe të tjerëve | Foto: KALLXO.com

Lirohen nga Paraburgimi Tunë e Gjon Kqira

Tunë e Gjon Kqira, të akuzuarit e përfshirë në një grup që sipas prokurorisë jepnin para me fajde, janë liruar nga paraburgimi.

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prizren ua zëvendësoi këtë masë me atë të arrestit shtëpiak.

Lirimin nga paraburgimi avokati Azem Vllasi dhe mbrojtësit tjerë e kërkuan për të gjithë të paraburgosurit e këtij procesi, ndërsa kjo gjë u kundërshtua nga prokurorja.

Në seancën e sotme të gjykimit ku përveç Tunë e Gjon Kqirës të akuzuar janë edhe Kastriot, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Katinari, Sejdë Kaqorraj e Zef Oroshi nga prokurorja Merita Bina-Rugova ishin propozuar shtatë dëshmitarë.

Dëshmitari Nexhmedin Ahmetaj tha se për shërimin e motrës ia kishte marrë Gjekson Kqirës 300 euro, por nuk kishte paguar më shumë para edhe pse tregoi se borxhin e  kishte vonuar.

“Pas 30 minutave mi ka pru paret- 300 euro. Unë ja kam vonu diku 6 muaj. Kur e kam thirrë me ia kthy borxhin, desha t’ia jap edhe 50 euro më shumë si shpërblim, Xheksoni nuk i pranoi duke thënë se ‘E di hallin si e ke pasë me motrën, nuk ka nevojë”, tha dëshmitari Ahmetaj.

Prokurorja e ballafaqoi këtë dëshmitar me deklaratën e tij të dhënë në polici dhe me disa sms kërcënues, por ai sms-të nuk i pranoi si të vërtetë, duke thënë se ishin shaka që kishin ndodhur në mënyrë miqësore.

Dëshmitarja Fatmire Xhibo tha se e akuzuara Zyrafete Hukolli ia kishte ofruar 4000 euro me interes 300 euro në muaj.

“E akuzuara mi ka ofru 4000 euro dhe më ka thanë, sa i merr kredi bankës me interes t’i jap unë. Që në fillim më tha që paratë janë me interes-300 euro në muaj. Pasi pagova 3-4 muaj, një herë 700, 300 dhe 500, pastaj nuk kisha më. Pas disa muajsh mi ka kërkuar 10.000 euro por unë nuk i kisha”, tha Xhibo.

Ajo tregoi në gjykatë se nga kjo situatë e kishte nxjerrë Gjon Kqira që sipas dëshmitares kishte ardhur më 10 mijë euro pa interes.

Xhibo deklaroi se nuk ishte kërcënuar nga Gjon Kqira, por prokurorja Merita Bina-Rugova e ballafaqoi dëshmitaren me një sms në të cilën Gjon Kqira i kishte shkruar fjalët “Më së shumti 3-4 dit duhet mi ja kthy njerit. Mos e leni mas 12 të natës”.

Dëshmitarja Fitore Berisha tregoi se babai i saj ia kishte kërkuar Benson Buzës 2500 deri në 3000 euro, ndërsa i akuzuari tha se ia kishte marrë makinën në emër të borxhit.

“Të gjitha veturat tona kanë qëndru ma shumë te Bensoni sesa tek ne, për shkak të kamatës”, shtoi dëshmitarja Berisha.

Dëshmuan edhe Ndrec Çollaku, Leonard Tushi dhe Kristë Prenaj nipi i të akuzuarve Marjan, Tunë e Gjon Kqiraj, ndërsa trupi gjykues nuk e lejoi dëshminë e Shaban Miftarit, pasi ajo u kundërshtua nga avokatët Azem Vlasi e Ramë Dreshaj.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces gjyqësor. Këto shkrime mund t’i lexoni këtu.