Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Lirohen nga Paraburgimi Dy të Akuzuar për Rrahjen në Komoran

Almir e Leutrim Vilakut, të akuzuarve për një rrahje që kishte ndodhur në vitin 2016 në Komoran të Drenasit, u është zëvendësuar me arrest shtëpiak masa e paraburgimit.

Ajet Vilaku i akuzuari tjetër i këtij procesi do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim.

Lirimin e tre të akuzuarve nga paraburgimi e kërkuan avokatët mbrojtës të tyre, duke thënë se nuk ekziton ndonjë arsye që ata të qëndrojnë edhe më tutje në paraburgim.

Kërkesën e avokatëve për lirim nga paraburgimi të klientëve të tyre e kundërshtoi prokurorja Besa Limani, me arsyetimin se familja e të akuzuarve dhe ajo e të dëmtuarve nuk janë pajtuar pas rrahjes.

“Deri tani nuk kemi asnjë dëshmi që këto dy familje të kenë arritur proces pajtimi”, tha prokurorja Limani.

Sipas prokurorisë, më 8 gusht 2016 në fshatin Komoran të Drenasit para lokalit “Bujupi” pas një mosmarrëveshje të mëhershme, të akuzuarit Almir, Leutrim dhe Ajet Vilakut që në këtë vend kishin ardhur me një xhip të kaltër kishin sulmuar me mjete të forta  të dëmtuarit Muhamet dhe Flamur Emini.

Në aktakuzë thuhet se sulmi kishte ndodhur në bashkëkryerje dhe me dashje që t’i privojnë nga jeta të dëmtuarit.

Por Ibrahim Maxhuni, avokati i Almir Vilakut tha se aktakuza nuk e argumenton vrasjen në tentativë, ndërsa deklaroi se hetimet nuk ishin zhvilluar në mënyrë profesionale, ndërsa ekspertizën balistike e cilësoi konfuze.

“Tërësia e aktakuzës është pjesëmarrje në rrahje, nuk jepet përshkrimi për dashje dhe privim nga jeta. Gjatë shqyrtimit gjyqësor do të shihet që nuk ka të bëjë me tentim-vrasje”, tha avokati Ibrahim Maxhuni.

Ramiz Krasniqi, avokati i Ajet Vilakut, tha se gjendja e të dëmtuarve të këtij procesi pas sulmit ishte e mirë, pasi sipas tij ata janë kuruar vetëm me antibiotikë.

Avokati Krasniqi tha se mjekësia ligjore ka dhënë mendime të ndryshme për këto lëndime.

“Çuditërisht në emër të këtij departamenti na paraqitet një zyrë, ku një herë thotë se janë lëndime të lehta trupore dhe më vonë të rënda. Në emër të kujt kjo zyrë ka dhëne këtë konkludim”, pyeti Krasniqi.

Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm dëshmitarët, prandaj shqyrtimi gjyqësor do të vazhdojë më 15 maj.