Gjykata e Lartë në Beograd. Foto: BETA.

Lirohen nga Akuzat për Krime Lufte Dy Ushtarë Serbë të Bosnjës

Gjykata e Apelit në Serbi liroi nga akuzat ish-ushtarët serbë të Bosnjës Nedeljko Sovilj dhe Rajko Vekiq në lidhje me vrasjen e civilëve, duke vendosur se nuk kishte prova për të vërtetuar pa dyshim se ata kryen krimet për të cilat akuzohen.

Gjykata vendosi gjithashtu se dëshmitarët nuk ofruan prova të besueshme mbi të cilat të bazohej një dënim.

Sovilj dhe Vekiq fillimisht u dënuan vitin e kaluar nga Gjykata e Lartë në Beograd. Ajo dënoi secilin prej tyre me tetë vjet burg për vrasjen e Mehmed Hrkiqit, një civil boshnjak, më 21 dhjetor 1992, në fshatin Osoje, afër qytetit boshnjak Bosanski Petrovac.

Sipas vendimit të vitit 2016, të pandehurit takuan rastësisht Hrkiqin dhe një burrë tjetër, Milo Vukeliq, ndërsa po kalonin nëpër fshat.

“Ata urdhëruan Vukeliqin të shkonte në shtëpi dhe kapën Hrkiqin… Të akuzuarit – të dy të armatosur me pushkë automatike – e çuan atë rreth 500 metra më thellë në pyll dhe qëlluan të paktën tri plumba në drejtim të tij. Hrkiq vdiq në vend”, thuhej në vendim.

Sovilj dhe Vekiq, të dy me origjinë nga Bosanki Petrovac, u arratisën në Serbi pas përfundimit të luftës dhe morën shtetësi serbe.

Çështja u transferua në Serbi nga një gjykatë boshnjake në qytetin e Bihaçit në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare të asistencës ligjore.