Gjykata shpall aktgjykimin në rastin ndaj zyrtarëve të AKP-së dhe dy punonjësve të një kompanie derivatesh – Foto: KALLXO.com

Lirohen 4 Zyrtarë të AKP-së, Një Dënohet me Gjobë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Arsim Leci, Ejup Gashi, Istref Dragusha dhe Amir Demolli, të cilët akuzoheshin për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Gjykata vlerësoi se gjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar se këta të pandehur kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin.

Leci, Gashi dhe Dragusha akuzoheshin nga Prokuroria se si anëtarë të komisionit për verifikimin e faturave për furnizim me derivate të automjeteve zyrtare të AKP-së dhe Demolli si ushtrues i detyrës së mbikëqyrësit të transportit, vozitës dhe anëtar i komisionit, nuk kanë raportuar për parregullsitë që kanë hasur gjatë verifikimit të faturave të rrejshme.

E për të akuzuarit e tjerë të rastit, Abdurrahim Abdylin dhe Nexhat e Petrit Gjokajn, është bërë rikualifikimi i veprës penale. Nga keqpërdorimi i pozitës zyrtare për çfarë akuzoheshin ata janë shpallur fajtorë për veprën penale keqpërdorim i besimit, me ç‘rast u është shqiptuar dënimi me gjobë në vlerë prej 2,000 euro.

Ndërsa palën e dëmtuar, në këtë rast AKP-në, trupi gjykues e udhëzoi që për pretendimet ndaj këtyre tre të pandehurve t’i drejtohet gjykatës civile.

Prokuroria pretendonte se i akuzuari Abdurrahim Abdyli, në cilësinë e personit zyrtar – vozitës i AKP-së është furnizuar me fatura të rrejshme nga të akuzuarit Petrit e Nexhat Gjoka, kinse ka furnizuar me derivate të naftës automjetet e AKP-së nga kontraktori kompania “Hib Petrol” dhe kontraktori i saj “Fer Petrol”.

Ndërkaq, i akuzuari Petrit Gjoka si menaxher në kompaninë “Fer Petrol” dhe Nexhat Gjoka si shitës i kësaj kompanie, i kanë ndihmuar Abdylit që ta keqpërdorë pozitën e tij zyrtare, duke e furnizuar me fatura fiktive, gjoja se ai ka furnizuar me derivate të naftës veturat e AKP-së.

Më pas, këto fatura i ka dorëzuar në komision për verifikimin e tyre, ku anëtar të komisionit ishin Leci, Gashi e Dragusha e Demolli.

Aktakuza thotë se si rezultat i faturave të rrejshme, AKP-së i është shkaktuar dëm në shumë prej rreth 10,000 euro.

http://kallxo.com/gjykimi-per-faturat-e-rreme-te-derivateve-per-makinat-e-akp-se/