Lirim Jakupi. Foto: Facebook

Lirim Jakupi Lirohet Nga Akuzat për Sulmin ndaj Policëve Maqedonas

Jakupi akuzohej se kishte hapur zjarr në drejtim të policëve maqedonas në vitin 2014, si dhe ndaj forcave policore maqedonase në Tetovë në vitin 2004.

Shpalljen e aktgjykimit e bëri kryetari i trupit gjykues, Aziz Shaqiri.

Ai ngarkohej me veprat penale tentative për të kryer vrasje të rëndë në bashkëveprim, për të cilën edhe është liruar.

Ndërkaq, për veprën tjetër penale mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve, gjyqtari Shaqiri bëri të ditur se ka arritur parashkrimi absolut.

Lajmin për KALLXO.com e bëri të ditur zyrtari për informim në Gjykatën Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra.

Jakupi ngarkohej nga prokuroria se më 15 shtator 2014 rreth orës 1:50 në rrugën Vasingtoni 39, Suto Orizari, në Shkup në Republikën e Maqedonisë, në bashkëkryerje me një person tjetër ka shkrepur një numët të shtënash me psitoletë të kalibrit 7.62 x 25 mm në zyrtarët e uniformuar të policisë.

Prokuroria pretendonte se teksa zyrtarët policorë Zoran Angelovski, Vasko Ivanovski dhe Elza Durmitrovska po vozisnin në atë rrugë gjatë patrullimit, morën lëndime të rënda në formë të plagëve nga të shtënat me armë si rezultat i sulmit në veturën e tyre deri sa ishin të ulur në të.

“Duke qëlluar në tre oficerët, Lirim Jakupi tentoi të privojë oficerët nga jeta në rrethanat në vijim: ai me dashje ka rrezikuar jetën e atyre personave, duke vepruar pamëshirshëm dhe dhunshëm dhe në kohën kur tre oficerët ishin duke zbatuar detyrën e tyre në mbrojtja të rendit ligjor, duke zbuluar veprat penale, duke kapur një kryes të veprën penale, si dhe duke ruajtur rendin dhe qetësinë publike”, shkruhej më tej në dispozitivin e aktakuzës.

Lirim Jakupi ka qenë pjesëtar i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në vitet 1998-1999.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai ishte njëri ndër pjesëtarët më të njohur të formacionit gueril Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, e cila në vitet 2000- 2001 bëri rezistencë të armatosur ndaj forcave serbe në vendbanimet me shqiptarë në Luginë të Preshevës.

Në vitin 2001, ai ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni.

http://kallxo.com/fjala-perfundimtare-ndaj-lirim-jakupit/

http://kallxo.com/prokurorja-kerkon-denim-te-larte-per-lirim-jakupin/

http://kallxo.com/6-vite-burg-per-te-akuzuarin-qe-hapi-zjarr-ndaj-policeve-maqedonas/