Ekspozita e Nebih Muriqit | Foto: Facebook

Liria pa Korniza e Pikturave të Muriqit

Në Galerinë e Arteve mbrëmë u hap ekspozita retrospektivë “Përtej Ankthit të Fantazisë” e piktorit Nebih Muriqi, ku janë përfshirë krijimet e tij që nga vitet ’60 deri tash.

“Jemi munduar që të bëjmë një përzgjedhje që nga vizatimet e deri te veprat e fundit. Kuptohet që këtu janë disa cikle të eksperiencës së tij që nga shqiponjat e deri te pikturat monumentale,”tha Zeni Ballazhi, kurator i ekspozitës.

Disa nga pikturat e kësaj ekspozite janë pa korniza. Piktori Muriqi e shpjegoi këtë gjë.

“Kornizat nuk i bëjnë pikturat, ashtu siç rrobat nuk e bëjnë njeriun, prandaj ato s’kanë korniza për shkaqe praktike, kështu që nuk kam ku t’i strehoj,” tha Nebih Muriqi.

Për një ekspozitë si kjo që përmban të tërë jetës së deritashme të piktorit është nevojitur më shumë se një muaj kohë përgatitje.

“Një ekspozitë e tillë kërkon kohë, ndoshta më shumë se një muaj, sepse janë vepra të cilat datojnë që nga vitet e 60-ta deri më sot,” shtoi Ballazhi.

Piktori Muriqi foli edhe për pikturën “Dheu i Përgjakur i Prekazit” që sipas piktorit u kushtohet luftës dhe krimeve në këtë fshat, por edhe mbarë njerëzimit.

“Kjo ka lindur nga dheu i përgjakur i Prekazit, kjo është gjithënjerëzore se krimet nuk kanë ndodh vetëm aty, por në të gjithë botën. Ata (serbët) kanë mendu që e vrasin guximin, por ka ndodh e kundërta. Pikërisht ajo revolta e brendshme ka shpërthy dhe e ka pushtu krejt Kosovën,” tha Muriqi.

Si pikturë “Dheu i Përgjakur i Prekazit” kishte filluar të realizohej në vitin 1998 dhe ka përfunduar shumë më vonë dhe si e tillë përmban shumë elemente që e bëjnë pikturën të vlerësohet lart nga të tjerët.

“Kjo pikturë u vlerësu lart. Është metaforë, simbolikë, figurë, dramë metafizikë që është fillu nga 98-ta e u përfundu më vonë,” tha Muriqi.

Pikturat në përgjithësi kishin mbizotërim të ngjyrës së kaltër që për autorin shprehin dëshirën për liri.

“Mbizotërimi i ngjyrës së kaltër shpreh lirinë, hapësirën, vullnetin për mu shkëput prej telave, mu shkëput prej burgjeve, prej tragjedisë sonë kombëtare,” shtoi piktori Muriqi.

Ndërsa piktori Musa Alimusaj, Muriqin e vlerëson si artist me qasje personale dhe identitet krijues.

“Është një prej firmave shumë të njohura të artit shqiptar në përgjithësi, jo veç në Kosovë. Ai trajton artin bashkëkohor, është bindshëm i kanalizuar në atë çka mendon, domethënë ka qasje personale, ka identitet krijues dhe për mendimin tim është njëri ndër artistët më të mirë që ka Kosova,”tha Alimusaj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 1 janar të vitit 2017.

Nebih Muriqi, pos në Kosovë ka pasur ekspozita personale dhe kolektive në vendet tjera të Ballkanit, por edhe në Gjermani, Francë, Itali, Indi, ShBA etj.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri