Liria e Medias e Rrezikuar nga Çdo Anë

Në ditën e Lirisë së Mediave është bërë publik raporti “Treguesit e Mediave” për vitin 2015 të realizuar nga Kosova 2.0, organizata “Çohu” dhe Këshilli i Mediave të Shkruara në Kosovë.

Sipas raportit 32% e të anketuarve mendojnë se liria e shprehjes është e rrezikuar nga individë nga politika, 18 % nga bizneset kurse 16% mendojnë së është e rrezikuar nga qeveria.

Ata të cilët punojnë në radio dhe televizione besojnë se garancitë ligjore në lidhje me lirinë e informacionit nuk janë zbatuar plotësisht kurse ata që punojnë në gazeta dhe portale besojnë që ato janë zbatuar.

Redaktorja e gazetës Kosova 2.0 Besa Luci tha mediat duhet që të kenë një sistem vetërregullativ dhe është shqetësues fakti se 45% e të anketuarve nuk kanë kontrata pune.

“Ma merr mendja që edhe ne që jemi gazetarë dhe redaktorë duhet të jemi edhe vetëkritikë dhe me reflektu rreth profesionit tonë dhe kushtet brenda vetë mediave po ashtu në shumë aspekte përkufizojnë profesionin e gazetarisë”, tha ajo.

Sipas saj, e rëndësishme është që mediat të kenë mekanizma vetërregulluese sepse kjo do kishte ndihmuar në eliminimin e ndërhyrjeve nga ana e pronarëve mediatikë.

Në një shkallë nga 1 në 10, me 1 e pa rrezikuar fare” dhe 10 “kryesisht e rrezikuar’, vlerësimi mesatar i të anketuarve mbi rrezikimin e lirisë së shprehjes qëndron në 6,59, tregon raporti.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Media, Zenun Pajaziti, tha se nuk është i kënaqur më shkallën e lirisë së shtypit.

“Ne akoma jemi të kufizuar brenda nesh dhe duke qenë të kufizuar brenda nesh nuk mundemi t’i konsumojmë as praktikat më të mira që i kanë të tjerat sa i përket lirisë së fjalës apo të shtypit”, tha ai.

Sipas tij, Kosova ka legjislacion sipas standardeve të BE-së po duhet akoma punë që të përmbushim lirinë e shtypit.

86 % e të anketuarit besojnë se ka individë që veprojnë drejtpërdrejtë ose tërthorazi në media kurse 82% besojnë kështu për partitë politike.

Kryeredaktori i gazetës Koha Ditore, Agron Bajrami,  tha se në Kosovë ekziston liria e medias për aq sa mediat kanë luftuar për këtë liri.

“Një pjesë e mediave nuk janë të lira një pjesë tepër e madhe e mediave janë nën kontrollin e partive, interesit ekonomik, politik i cili pastaj ndërlidhet me një synim i cili nuk ka të bëjë fare me kërkimin e lirisë së mediave”, tha ai.

Ai foli edhe për Televizionin publik të Kosovës i cili sipas tij “nuk e ka problem financimin por politizimin”.

Problemet e transmetuesit publik me paanshmërinë i ka theksuar edhe raportit në të cilin thuhet se 55% e të anketuarve pohojnë se RTK-ja nuk është e pavarur apo i paanshëm nga ndërhyrjet politike.

Nga 11 institucione sa ishin përfshirë në studim vetëm “policia” dhe “komunat” perceptohen si disi të hapura ndaj mediave kurse si institucion më së paku i hapur konsiderohet “EULEX”.

Furtuna Sheremeti e cila është konsulentë ligjore theksoi problemet e transparencës dhe veçanërisht problemin me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

”Shumë institucione kanë shkuar aq larg sa edhe kanë krijuar pagesa të caktuara për marrjen e një  dokumenti. Në komunën e Obiliqit duhet paguar 1 euro për marrjen e një dokumenti, por nuk është vetëm kjo komunë që e përdorë këtë strategji por edhe komuna të tjera vetëm e vetëm për të larguar apo pakësuar numrin e këtyre kërkesave”, u shpreh ajo.

Raporti thotë gjithashtu se mbi 62 % e të anketuarve pohojnë se ata janë kërcënuar me dhunë “deri në njëfarë niveli” dhe 22% thonë se ata janë “plotësisht” të kërcënuar.

Muhamet Hajrullahu redaktor në zyrën e BIRN-it në Kosovë pranon që mediat duhet të vetërregullohen por duhet të ketë edhe ligje të cilat mbrojnë edhe gazetarët.

“Ne nuk kemi bërë një lloj transparence të mjaftueshme sidomos nga ana e institucioneve po flas prej nivelit qeveritar, ministrive që duhet të jenë të hapura jo ndaj mediave por ndaj publikut sepse mediat të dhënat e tyre i plasojnë te publiku”, tha ai.

Në raport shfaqet shqetësimi edhe për çështjet e pronësisë e sidomos të mediat online për të cilat thuhet se nuk ka asnjë informacion për stafin e tyre apo pronësinë.

Sipas Hajrullahut shqetësues mbetet fakti se te mediat online çdo kush ka mundësinë që të raportojë por “më shqetësuese është se në disa portale vërehen edhe reklamat nga institucionet qeveritare”.

Në raport janë përfshirë intervista me 175 të anketuar të cilat janë kryer në periudhën 11 shkurt-16 mars 2015.