Lipjani Nis Ndërtimin e Stadiumit të Premtuar

Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti  në fushatën për zgjedhjet e vitit 2013 e kishte premtuar rindërtimin e stadiumit “Sami Kelmendi” por ky projekt nuk filloi në dyvjeçarin e parë të mandatit të tij.

Gjatë debatit “Jeta në Komunë”, kryetari i Lipjanit u zotua se punimet për këtë stadium do të fillojnë në pranverë të këtij viti.

http://kallxo.com/kryetari-i-lipjanit-problemet-nuk-i-solla-une/

“Është e vërtetë që e kemi bërë projektin, është nënshkruar memorandum me ministrinë do të fillojë ndërtimi shumë shpejt, në buxhet të Ministrisë janë 150 mijë euro dhe 150 mijë në buxhet të Komunës dhe punimet do të fillojnë në pranverë”, kishte thënë Ahmeti.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka konfirmuar memorandumin e lidhur në mes kësaj ministrie dhe komunës për fillimin e fazës së parë të rindërtimit të stadiumit.

Ministria ka treguar vlerën e kontratës për këtë fazë të ndërtimit dhe participimin buxhetor në mes të MRSK-së dhe Komunës së Lipjanit.

“Kontrata është në vlerë 77,760.00 euro dhe MKRS ka ndarë 65,000.00 euro, ndërsa Komuna 25,000.00 euro”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Ahmeti nuk dha afat të qartë për përfundimin e fazës së parë të punimeve  për shkak se, sipas tij, kontratën e menaxhon MKRS-ja.

“Nuk jam i sigurt për afatin dinamik që e ka kompania sepse këtë kontratë e menaxhon Ministria e Kulturës, jo komuna dhe pasi të përfundojë  faza e parë ne do të kemi përsëri publikimin e fazës së dytë të stadiumit me një vlerë prej 300 mijë euro”, tha Ahmeti për KALLXo.com.

Megjithatë , kryetari nuk u shpreh optimist se për përfundimin e shpejtë të këtij projekti kur tha se përfundimi i punimeve mund të zgjasë më shumë se që zgjat mandati i tij që përfundon në fund të vitit të ardhshëm.

“E gjithë vlera e stadiumit është një vlerë e madhe dhe nuk mund të pretendojmë se do ta mbyllim në dyvjeçarin e ardhshëm sepse e gjithë vlera ka një kosto rreth 1 milion euro”, tha Ahmeti.