Kryeministrat Rama dhe Mustafa si dhe Ministrat e Energjisë Gjiknuri dhe Stavileci në ceremoninë e inagurimit të linjës së interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë më 26 qershor 2016. Linja nuk është përdorur ende. Foto kortezi: Ministria e Energjisë dhe Industrisë

Linja e Interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë e Bllokuar pa Afat nga Beogradi

Linja e interkonjeksionit të energjisë elektrike që lidh Shqipërinë dhe Kosovën u përurua me fanfara në prani të dy kryeministrave dhe shumë zyrtarëve të tjerë qershorin e kaluar, pas shumë vitesh vonesash në projektim dhe ndërtim, por mosmarrëveshjet politike të Serbisë me Kosovën e bëjnë të pamundur vënien në punë të kësaj linje duke shkaktuar humbje të konsiderueshme për operatorët e transmetimit si dhe duke bllokuar zhvillimin e tregut të përbashkët të energjisë mes Shqipërisë e Kosovës dhe më gjerë, tregun e përbashkët të të gjithë Ballkanit.

Zëvendësdrejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vienë Dirk Buschle i tha BIRN se problemi është politik dhe jo teknik dhe se aktualisht nuk shihet një rrugëzgjidhje.

“Kjo linjë nuk mund të vihet në punë. Ky është një problem politik dhe ne nuk jemi të lumtur për këtë. Çështja do të shtrohet sërish për diskutim në Samitin e Triestes në Korrik 2017”, tha Buschle.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë me qendër në Vienë është organizata ndërkombëtare që koordinon dhe mbikëqyr zbatimin e Traktatit të Athinës, traktat i miratuar në vitin 2015 përmes të cilit, vendet e Bashkimit Europian dhe vendet e Ballkanit e të rajonit të Detit të Zi, kanë rënë dakord të krijojnë një treg të përbashkët për energjinë, si pjesë e procesit të integrimit të rajonit tonë në tregun e përbashkët Europian.

Engjëll Zeqo, drejtor i Operatorit të Transmetimit të Energjisë, (OST) kompanisë publike që ka nën pronësi linjat e tensionit të lartë, tha se kompania e tij ka humbje vjetore në të ardhura të munguara prej së paku 500 mijë eurosh nga mosvënia në punë e kësaj linje ndërkohë që edhe plani për optimizimin e operimit të sistemit të energjisë së Kosovës dhe të Shqipërisë është bllokuar për shkak të linjës.

“Nëse do t’i shisnim kapacitetet e linjës në tregun e përbashkët, të ardhurat vjetore të realizuara do të ishin rreth 500 mijë euro,” tha Zeqo.

“Problemi është teknikisht i thjeshtë,” shtoi ai.

Kosova duhet të marrë një kod transmetimi nga ENTSO-E, por nuk njihet si zonë kontrolli nga ENTSO-E. Serbia ka kërkuar që Kosova të njohë operatorin serb të shpërndarjes së energjisë në veri të Kosovës në shkëmbim të njohjes së Operatorit të Transmetimit të Kosovës si entitet më vete.

ENTSO-E është rrjeti Europian i Operatorëve të Transmetimit të Energjisë elektrike dhe përgjegjës për operimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike.

Nuk ka ndëshkim për Serbinë

Serbia ndërkohë është konstatuar nga Komuniteti i Energjisë si shkelës i rregullave që ajo vetë ka firmosur për krijimin e tregut të përbashkët, të njohur si Paketa e Dytë e Energjisë. Tetorin e kaluar, Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë konstatoi shkeljen nga ana e Serbisë dhe i vendosi afat deri më 31 dhjetor 2016. Teorikisht, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë duhet të propozojë sanksione për Serbinë në Këshillin e Ministrave, por sipas Buschle, mund të jenë të karakterit politik e për rrjedhojë, jo shumë efikase.

Linja e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës synonte njëkohësisht rritjen e sigurisë energjetike të Shqipërisë dhe krijimin e kushteve për optimizimin e operimit të sistemeve energjetike të Shqipërisë dhe Kosovës. Në rast se linja do të funksiononte, Shqipëria mund të përfitonte nga përmirësimi i eficencës së shfrytëzimit të hidrocentraleve ndërsa Kosova do të përfitonte nga përmirësimi i eficencës së shfrytëzimit të termocentraleve të qymyrit.

Artikull i marrë nga Reporter.al