Protesta e operatorëve të linjës numër 3 të autobusëve - Foto: KALLXO.com

Linja 3 e Autobusëve Proteston Para Komunës

Kërkesa e protestuesve të kësaj linje është që Inspektorati i Komunës ta “pastrojë“ tregun nga taksistët ilegalë që qarkullojnë me furgonë, të cilët, sipas tyre, po ua marrin udhëtarët.

Sejdi Jashari, përfaqësues i kësaj linje tha se janë duke punuar në kushte shumë të vështira. Ai ka treguar që kanë bërë edhe ankesa të shumta në Komunë. Ndërsa ankesa e fundit të cilën e kanë drejtuar lidhur me këtë çështje është më 23 qershor.

“Jemi tu protestu për shkak të kombiv ilegalë. Jemi 64 punëtor. Kombit ilegalë nuk ndalen kurrë. Ne jemi tu punu në kushte shumë të vështira. Na 64 punëtorë duhet me i pagu prej këtyre autobusëve dhe nuk kemi mundësi kështu mi pagu”, tha Jashari për KALLXO.com.

Sipas tij, qe 6 muaj nuk kanë kontratë me Trafikun Urban. Sipas tij linja 3 nuk është paguar nga Komuna për bartjen e pensionistëve pa biletë dhe për mujoret e lëshuara nga Trafiku Urban.

“Kemi qenë në Trafik Urban dhe qe 6 muaj nuk kemi kontratë me Trafikun Urban”, theksoi ai.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, tha se brenga e linjës numër 3 është edhe brengë e Komunës, për arsye se Komuna e Prishtinës është duke paguar kredi.

Sa I përket relacioneve me Trafikun Urban përmes kontraktorëve ajo është një temë që Trafiku Urban duhet ta trajtojë.

Por ajo që unë mund të them është se jemi në vlugun më të madh të punëve për transformimin e plotë të transporti publik në komunën e Prishtinës.

Sejdiu tha se edhe linjat përmes shërbimit të mirë të qytetarëve mund t’i largojnë operatorët ilegalë.

“Brenga e linjës numër 3 sa i përket tregut të zi është brengë jo vetëm e tyre por edhe e jona sepse ne paguajmë kredi… Me kapacitetet që i kemi ne ka muaj që po punojmë intensivisht që t’i largojmë operatorët në tregun e zi”, tha Sejdiu.

21 autobusët e tjerë që presim të vijnë këtu para shtatorit do ta zgjidhin edhe problemin me linjën numër 3, tha sejdiu.

Ai i porositi operatorët që t’i përmbahen orarit, t’i përmbahen linjave për të cilat i kanë lejet.

“Nëse nuk i përmbahen do të jetë lehtë për operatorët ilegalë. Inspektorati do ta intensifikojë punën që me pasë operim më të mirë të linjave. Operatorët privatë nuk i mirëmbajnë linjat. I fillojnë vetëm kur autobusi është plot e jo kur e kanë orarin”, ka shtuar Sejdiu.

Ndryshe, operatorët e linjës 3 shtuan se nga 1 korriku nuk do të vazhdojnë mujoret e lëshuara nga Trafiku Urban duke përfshirë edhe pensionistët.

Ata u deklaruan se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre ata do të vazhdojnë me protesta gjatë ditëve në vazhdim.