10 Minuta Xhirim në Gjykimin e Hasanit

Kërkesën për përjashtimin e medieve nga seanca e sotme e gjykimit të Enver Hasanit, Haki Veliut e Albert Rakipit e bëri avokati Bajram Tmava me arsyetimin se ato e kanë keqpërdorur seancën e kaluar.

Trupi gjykues i kryesuar nga Afërdita Bytyqi mori mendim që kamerat e medieve të xhirojnë vetëm 10 minuta dhe pastaj të nxjerren jashtë gjykatës.

Aktualisht e ka nisur dëshminë e saj Lindita Tahiri.

Tahiri do të dëshmojë në lidhje me përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në shqipe për nevojat e Universitetit të Prishtinës.

Ishte paraparë edhe dëshmia e Marjan Demajt rektorit të UP-së, por ai po mungon për shkak të angazhimeve.

Dëshmitarja Lindita Tahiri ishte pjesë e komisionit të UP-së për vlerësimin e përkthimeve për të cilat akuzohen Hasani, Veliu e Rakipi.

Tahiri gjatë dëshmisë së saj tha se nuk i kujtohej nëse kishte pranuar ndonjë vendim për emërimin në këtë komision.

Ajo deklaroi se nuk i kujtohej as nëse e kishte nënshkruar atë vendim, por prokurorja Drita Hajdari pas këtyre fjalëve e ballafaqoi dëshmitaren me deklaratën e saj të dhënë në prokurori ku Tahiri kishte thënë se vendimin e kishte nënshkruar në zyrën e Hakif Veliut.

Dëshmitarja pas ballafaqimit përsëriti se nuk i kujtohej ky detaj.

Tahiri tregoi se ishte ftuar urgjentisht të kthehej nga pushimi për ta nënshkruar vendimin e komisionit mbi cilësinë e përkthimeve, bashkë me Shpresa Hoxhën dhe Afrim Hotin.

Dëshmitarja deklaroi se në kohën kur e kishte nënshkruar këtë vendim më 20 korrik 2009, nuk i kujtohej nëse ushtrues detyre i rektorit ishte rektori aktual Marjan Dema, apo Enver Hasani

Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës Enver Hasani së bashku me Haki Veliun dhe Albert Rakipin po akuzohen për mashtrim lidhur me përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e UP-së.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, të pandehurit sipas marrëveshjes paraprake kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Në aktakuzë pretendohet se ky ndryshim çmimi i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare.

Në dhjetor të vitit të kaluar Enver Hasani, Hakif Veliu e Albert Rakipi u deklaruan të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.