Nga seanca e sotme e gjykimit të Fatmir Limajt. Foto: Ka;llxo.com

Limaj Shpreh Keqardhje për Vrasjet në Bellanicë

Në gjykimin për krime lufte, Fatmir Limaj shprehu keqardhje për siç tha odiseadën e familjeve të Ramiz Hoxhës e Selman Binishit.

“Meqë është fjala përfundimtare, shprehi keqardhje për këtë odiseadë që kanë pasur këto dy familje në gjetjen e kryesve të veprës penale, motivet, natyrisht që në Kosovë ka me qindra mira viktima dhe që nuk dihet akoma për fatin e tyre”, tha Limaj.

Ai deklaroi më tutje se ngushëllim për familjet e dy të vrarëve mund të jetë rënia e tendencës për t’i njollosur.

“Për familjet e të dëmtuarve ka qenë një satisfaksion për faktin që të paktën është vërtetuar që tendenca për t’i njollosur ka qenë e pasuksesshme”, tha Limaj.

Edhe avokati i tij Tahir Rrecaj, tha se Ramiz Hoxha e Selman Binishi nuk janë vrarë si tradhtarë.

http://kallxo.com/avokati-ramiz-hoxha-e-selman-binishi-nuk-u-vrane-si-tradhtare/

Limaj më tutje deklaroi se edhe prokuroria e dinte se nuk ka prova kundër tij.

“Unë që nga fillimi kam qenë i bindur në pafajësi pasi nuk kishte prova por jam i bindur që edhe vetë prokuroria e ka ditur që nuk ka prova dhe gjatë këtyre shqyrtimeve gjyqësore nuk kanë arritur që të gjenden kryerësit e këtyre veprave dhe urdhërdhënësi”, tha Limaj.

Por prokurorja Drita Hajdari kërkoi sot që Limaj të dënohet, ngase, sipas saj, nuk ndërmori asgjë për të parandaluar vrasjet.

http://kallxo.com/prokurorja-kerkon-denimin-e-fatmir-limajt/

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.