Limaj Pret Gjykimin

Sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, seanca për shqyrtimin gjyqësor është dashur të caktohet menjëherë dhe jo më vonë se një muaj pasi që aktakuza ta merr formën e prerë. Në rastet si ky, kur edhe pas një muaji nuk është caktuar shqyrtimi gjyqësor për këtë çështje, kryetari i trupit gjykues është dashur ta lajmërojë kryetarin e gjykatës, në këtë rast kryetarin e asamblesë së gjykatësve të EULEX’it për arsyet e mos caktimit të seancave.

Pas konfirmimit të aktakuzës së ‘rastit Kleçka’ më datën 26 gusht, lënda i është ndarë kryetarit të trupit gjykues, i cili është nga radhët e EULEX’it, e po ashtu janë caktuar anëtarët e kolegjit, mirëpo ende nuk është caktuar data e fillimi të këtij procesi gjyqësor.

“Dje isha tek kryetari i trupit gjykues për t’u informuar lidhur me fillimin e seancave gjyqësore në Rastin Kleçka, por nuk mora informata se kur mund të fillojë kjo çështje”, tha avokati Rukiqi, të martën, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës më 28 shkurt kishte paraqitur para gjykatësit paraprak të EULEX-it një urdhër arrestimi ndaj të dyshuarve që u pasua më lëshimin e urdhrit të arrestit nga gjykatësi.

Më datën 16 mars të dyshuarit arrestohen, pos Fatmir Limës i cili kishte imunitet nga arrestimi, dhe sillen para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku paraburgimi për 1 muaj u caktohet Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës, Sabit Shalës dhe Naser Krasniqit, ndërsa masa e arrestit shtëpiak i caktohet Arben Krasniqit, Behlul Limajt, Bekim Shurdhajt dhe Refki Mazrrekut kurse të pandehurit Shaban Shala i caktohet masa e paraqitjes në stacionin policor.

Këto masa të njëjtëve u janë vazhduar disa, herën e fundit me datën 26 shtator ku masat u vazhduan edhe për dy muaj.

Prokuroria Speciale me datën 25 korrik, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, paraqiti aktakuzë lidhur me rastin Kleçka. Gjykatësi i procedurës paraprake të EULEX-it me datat 24 dhe 25 gusht mbajti seancat për konfirmimin e aktakuzës.

Të pandehurit akuzoheshin për Krime të luftës kundër Popullatës Civile dhe Robërve të Luftës, ku me veprimet e tyre kishin shkelur ish-Kodin Penal të Jugosllavisë, ish-Ligjin Penal të Kosovës si dhe Konventat e Gjenevës dhe Protokollet e saj.

Aktakuza përfshin periudha të ndryshme të vitit 1999, përkatësit koha e luftës në Kosovë, më saktësisht të pandehurit akuzohen se në zonën e Kleçkës, në cilësinë e anëtarëve të UÇK-së, kanë vrarë dhe kanë marr pjesë në vrasje si dhe kanë paraburgosur ushtarak serbë, civil serbë dhe civilë shqiptarë të cilët pastaj nuk i kanë trajtuar sipas konventave dhe ligjeve të luftës.

Aktakuza është konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake me datën 26 gusht.

Më datën 22 shtator, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me sqarimin e neneve të Kushtetutës lidhur me imunitetin e deputetëve, para gjykatësit të procedurës paraprake të EULEX’it u paraqit edhe Fatmir Limaj dhe prokurori special i EULEX’it Maurizio Salustro, ku ky i fundit kishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për Fatmir Limajn.

Gjykatësi i procedurës paraprake në të njëjtën ditë morri aktvendim dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, caktoi masën e arrestit shtëpiak dhe ia konfiskoi dokumentet e udhëtimit.