Arkiva | Foto: KALLXO.com

Limaj: I Pranojmë Krejt Deklaratat, Veç të Mbyllet Procesi më Shpejt

Limaj tha se është i bindur në pafajësinë e tij dhe është i gatshëm t’i pranojë dhe të shpallen të lexuara të gjitha ato dëshmi e prova që ka Prokuroria në mënyrë që të mbyllet ky gjykim.

“Ne pranojmë deklaratën e tij (Ali Aliut). Jemi të gatshëm. Nuk do të kundërshtojmë. Krejt edhe ato tjerat përpara, sepse nuk ka kurrgjë. Edhe ato që vijnë dhe mundemi me mshelë (procesin)”, tha Limaj.

Më tej, në cilësinë e dëshmitarit dëshminë  e vazhdoi Ali Aliu.

Prokurori e ballafaqoi me disa transkripte të nxjerra nga përgjimet telefonike, biseda këto të zhvilluara në mes të akuzuarit Shpëtim Telaku dhe dëshmitarit Aliu.

“Shpëtim Telaku: I thashë Alija është tu të lype disa herë me u taku tha thirrma se marre”. “Ali Aliu: Marre? Jo bre thuj dajës mos ta ndin, ani shihemi”, shkruhej në transkriptin e nxjerrë nga përgjimet telefonike.

Ndërkaq kur prokurori e pyeti se kujt keni dashur t’i referoheni me “daja”, dëshmitari njëherë tha se kanë biseduar edhe për dajën e tij, e më pas tha se i është referuar Fatmir Limajt.

“Unë dhe Telaku kemi folë edhe për dajë t’mi… Ne ju kemi referu edhe zotit Limaj”, tha dëshmitari Ali Aliu.

Ndërkaq kur u pyet nga prokurori se a keni kërkuar takimin me Limajn për të biseduar për mirëmbajtjen verore të rrugëve rajonale të Kosovës, Aliu u përgjigj me: “Jo, absolutisht”.

Në fund të seancës, pas propozimit të prokurorit Charles Hardaway që Milaim Zeka të ftohej në cilësinë e dëshmitarit, i akuzuari Fatmir Limaj kërkoi që gazetarët të lihen rehat dhe e quajti procesin e tij të montuar politikisht.

“I ke provat shfajësuese dhe procesi është i montuar politikisht. Qitni provat shfajësuese dhe mbylleni këtë maskaradë. E keni bërë dramë. Kryjeni punën e juaj dhe leni gazetarët rehat”, tha Limaj.

http://kallxo.com/prokurori-fton-gazetarin-te-deshmoje-ne-gjykimin-e-limajt/

Në këtë proces, Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Në procesin e njëjtë me Limajn dhe për akuza të njëjta me të nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.

Akuza ndaj Limajt lidhet me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht nga ky proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.