Limaj: Për Temat Nacionale Askush S’mund ta Marrë Flamurin

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj tha sot në seancën e Kuvendit se për tema nacionale askush nuk mundet ta marrë flamurin, sepse, sipas tij, këto janë përgjegjësi të përbashkëta të të gjithëve.

Limaj pyeti se kush duhet ta marrë iniciativën për konsensus për këto tema nacionale dhe theksoi se Kuvendi nuk është vendi që prodhon konsensus.

Po ashtu, Limaj pati vërejtje rreth deklarimeve të deputetëve, të cilët, sipas tij, ndoshta pa dashje i përzienin temat e diskutimit.

“Sot pash këto tri gjëra: u folke për program, kërkohej raportim dhe u përmendke buxheti”, theksoi Fatmir Limaj, duke kërkuar të bëhet dallimi.

Po ashtu, zëvendëskryeministri theksoi se një qeveri me 100 prioritete nuk është qeveri. “Se nuk është këtu fontanë dëshirash. Nëse flasim për nevoja mund t’i listojmë 1,000 por ato nuk mund t’i realizojmë. Ne kemi listuar pak prioritete, e a do të mund t’I realizojmë”, theksoi Limaj në seancën ku u diskutua për programin qeverisës 2017-2021.

KALLXO.com është duke e transmetuar LIVE seancën e sotme të Kuvendit.