Limaj Kërkon Ndërtim Qëndrimi rreth Temave Nacionale

Fatmir Limaj, kreu i Nismës Socialdemokrate ka kërkuar ndërtim të qëndrimit të përbashkët rreth temave me interes nacional

“Pas më shumë se tetë vjetësh kemi arritur ta kthejmë traditën e mirë që për tema nacionale të ndërtojmë konsensus sa më të gjerë”, shkroi Limaj në facebook.

Limaj më pas e mori si shembull kalimin e marrëveshjes së demarkacionit të mërkurën në seancën e Kuvendit.

“Kalimi i demarkacionit është dëshmia më e mirë se me një dialog konstruktiv dhe intensiv në temat nacionale mund të arrijmë të krijojmë konsensus”, vijoi postimi i Limajt.

Ai më tutje konstatoi se temat nacionale nuk duhet të personalizohen.

“Gjithmonë është në përgjegjësi të shumicës për tema nacionale në vendime ta përfshijë edhe opozitën. Sa herë është provuar që temat nacionale të personalizohen, kanë krijuar kriza, tensione, përçarje dhe vendimet kanë qenë të kontestuara dhe jo në interes të vendit”, shkroi Limaj.

Vetëm kështu, sipas Limajt, mund të merren vendime të rëndësishme për vendin.

“Prandaj le të na shërbejë ky moment që ta mbajmë dialogun, transparencën dhe komunikimin mes gjithë faktorëve politikë për temat nacionale dhe së bashku t’i ndërtojmë qëndrimet dhe të jemi të gatshëm të marrim vendime të rëndësishme për vendin”, shkroi Limaj.