Limaj Flet në Gjykatë për Artikullin e ‘Le Monde’ Rreth EULEX-it

Intervista e ish-kreut të gjyqtarëve të EULEX-it Malcolm Simmons, në të cilin ai përmend dyshime për korrupsion brenda Misionit Europian për Sundim të Ligjit është përmendur sot në gjykimin e Fatmir Limajt për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Sot parashihej të dëshmonte Skender Gashi, por Tahir Rrecaj, avokati i fatmir Limajt tha se mbrojtja ka hequr dorë nga ftesa e tij për të dëshmuar.

Pastaj, gjatë seancës, Fatmir Limaj e shpjegoi pse mbrojtja hoqi dorë nga dëshmia e Gashit, duke e lidhur këtë me artikullin në “Le Monde”.

Ajo që është me rëndësi për mua është që është përmendur specifikisht emri im dhe është thënë se ky është një mision politik që ka target zotin Limaj, tha Limaj në gjykatë.

“Unë zonja gjyqtare për 7 vjet gati tetë prej ditës së parë kam shpreh shqetësimin. Kjo për mua është shokante përfundimisht”, tha Limaj duke folur për artikullin në “Le Monde”.

Në artikullin e publikuar në “Le Monde”, ish-udhëheqësi i gjyqtarëve të EULEX-it Malcolm Simmons përmendi ehe Fatmir Limajn.

“Është një mision politik. Kushdo që e mendon të kundërtën është ose naiv ose i marrë. EULEX dëshironte të rrëzohej një pjesë e klasës politike kosovare, sikur Fatmir Limaj…”, thuhej në artikullin e publikuar në “ Le Monde”.

Në këtë proces gjyqësor Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar lidhur me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Gjilanit. Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik.