Limaj e Cilëson Aktakuzën Vazhdim të Përndjekjes

Fatmir Limaj në një reagim pas ngritjes së aktakuzës për krime lufte ndaj tij nga Prokuroria Speciale e Kosovës, tha se tri herë është hetuar në lidhje me atë për të cilën akuzohet.

“Prokuroria e Kosovës sot ka dalë me një aktakuzë kundër meje për një rast të cilin unë jam hetuar së paku tri herë. Dy herë nga UNMIK-u dhe një herë nga Tribunali i Hagës. Në të tri rastet për mungesë të provave hetimet kundër meje janë mbyllur dhe kjo dëshmohet edhe nga shkresat hetimore të lëndës të cilat sot i mora nga prokuroria,” sqaroi Limaj në reagim.

Limaj deklaroi se e vetmja gjë që e lidh me vrasjet që i ngarkohen, është se ato ndodhën në territorin e brigadës që komandohej prej tij.

“Të vetmin arsyetim në të cilin prokuroria e mbështet aktakuzën është se vrasjet kanë ndodhur në territorin për të cilin prokuroria pretendon se në atë kohë ka qenë territor i Brigadës 121 të UÇK-së,”tha më tutje Limaj.

Limaj më tutje bëri të ditur se vrasjet të cilat përshkruhen në aktakuzë u morën përsipër nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ndërsa tha se ai në kohën kur mendohet se u kryen krimet, nuk ishte anëtar i tij.

“Nga shkresat e lëndës del se në atë kohë përgjegjësinë për këto vrasje përmes një komunikate e ka marrë përsipër Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Aty ka përfunduar kompetenca ime sepse unë në atë kohë nuk kam qenë anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së,” tha Limaj.

Limaj aktakuzën e cilësoi vazhdim të përndjekjes.

“Nga kjo që thashë më lart del qartë se këtu nuk kemi të bëjmë më përpjeke për të ndriçuar rastin dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar. Këtu është duke u keqpërdorur ky rast në mënyrë që të vazhdojë përndjekja kundër meje,” tha Limaj.

Për ngritjen e aktakuzës ndaj Limajt shkroi sot KALLXO.com.

http://kallxo.com/aktakuze-per-krime-lufte-ndaj-fatmir-limajt/